KEDS njofton se mbi 1 mijë punëtorë në terren për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

KEDS njofton se mbi 1 mijë punëtorë në terren për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka bërë të ditur se janë mobilizuar mbi 1 mijë punëtorë në terren, në të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet lokale që po mbahen këtë të diele në aspketin e energjisë elektrike.

Sipas tij, në qendrat e thirrjeve janë angazhuar 60 punëtorë dhe janë në dispozicion 24 orë në mënyrë që të pranojnë thirrje.

“Në secilën qendër votimi, në secilën klasë kemi vendosur edhe drita fluoreshente që janë me bateri, pastaj kemi edhe gjeneratorë lëvizës nëse kemi ndonjë defekt diku”.

“Po flasim për një plan të detajuar i cili na siguron mbarëvajtje të mirë të procesit zgjedhor”, ka thënë Buzhala në KTV.

Ndërsa ka shtuar se furnizimi me energji elektrike do të sigurohet edhe pas perëndimit të diellit, po ka kërkuar një “kursim të energjisë elektrike aty ku ka mundësi”.

Ndërkaq, gjatë këtyre zgjedhjeve do të kenë të drejtën e votës 90 mijë e 586 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të po këtij viti.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë territorin e Kosovës është 883, me gjithsejtë 2 mijë e 477 vendvotime.

KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 89 subjekteve politike (32 parti politike; 1 koalicion; 33 iniciativa qytetare; 23 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatëve të tyre.

Mirëpo, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, ku nga të cilët 166 kandidatë për kryetar të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.

KQZ ka njoftuar se për Kryetarë të Komunave janë shtypur gjithsejtë 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për Kuvende Komunale janë shtypur po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve është 3 milion e 397 mijë e 200 fletëvotime.

KQZ-ja, ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se sa ka votues apo në përqindje 9,91%. Kjo sipas tyre është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore. /Gazeta Enigma/.

Related Articles