Deklarata e Majlinda Kelmendit për barazinë gjinore në xhudo, ka zënë hapësirë të madhe në një video të publikuar në faqen zyrtare të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Kelmendi edhe pas pensionimit në vitin 2021, Majlinda Kelmendi vazhdon të jetë figurë ikonike për xhudon dhe veçanërisht për Kosovën. Madje, ajo ka insistuar se është ambasadori më i mirë i Kosovës.
Kelmendi, e cila punën si trajnere përkrah Driton Kukës, ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme si xhudistë aktive. 32-vjeçarja i ka siguruar Kosovës medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike, kur triumfoi në kategorinë deri 52 kilogramë në Rio de Janeiro të Brazilit në vitin 2016. Ka edhe dy të arta botërore dhe katër evropiane, krahas medaljeve tjera dhe sukseseve të shumta.
Kelmendi ka thënë se vitet e fundit, po punohet shumë në barazinë gjinore në xhudo. Ka përgëzuar Federatën Botërore dhe Evropiane të Xhudos për punën e tyre. Megjithatë, Kelmendi ka shtuar se jo vetëm në botë por edhe në Kosovë ka ende dyshime sa i përket barazisë gjinore në sport, në këtë rast xhudo.
“Të them të drejtën, në Kosovë ka ende një përqindje të madhe të njerëzve që mendojnë se ndoshta xhudo është sport më shumë për meshkuj dhe kjo më të vërtetë nuk më pëlqen aspak. Për shkak se jam femër dhe merrem me xhudo, personalisht mendoj se jam ambasadori më i mirë i mundshëm për Kosovën”, është shprehur Kelmendi. “Kështu që, merrem me xhudo dhe jam femër, dhe mendoj se tashmë u kam dëshmuar të gjithëve se edhe femrat mund të bëhen kampione. Mund të jemi të forta dhe mund të bëjmë gjëra të vështira dhe mendoj se ky është një përmirësim nga dita në ditë”.
Kelmendi ka insistuar se ndihet shumë mirë kur sheh xhudiste nga religjione të ndryshme që paraqiten në tatami dhe mirëpriten nga publiku. Ajo thotë se një gjë e tillë e bën të ndihet mirë, pasi e di shumë mirë që brenda një kohe të shkurtër çdo gjë do të jetë në nivelin e duhur sa i përket këtij aspekti – barazisë gjinore.
“Dhe, jam shumë e lumtur dhe krenare kur shoh në tatami vajza të ndryshme nga religjione të ndryshme dhe po ashtu ndihem mirë dhe krenare kur publiku i pranon ato. Kjo do të thotë shumë për mua dhe mendoj se gjërat po përmirësohen për çdo ditë në këtë aspekt”, është shprehur Kelmendi. “Po ashtu, Federata Ndërkombëtare e Xhudos dhe Federata Evropiane e Xhudos po punojnë shumë në këtë aspekt, gjë që është jashtëzakonisht shumë mirë”.