Kërcënimi me vdekje ndaj Maryt vë në pikëpyetje kredibilitetin e Gjykatës Speciale

Kërcënimi me vdekje ndaj Maryt vë në pikëpyetje kredibilitetin e Gjykatës Speciale

Teksa Gjykata Speciale edhe sot po vazhdon me seancat dëgjimore të ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, kredibiliteti i saj po vihen në pikëpyetje, shkruan Gazeta “Enigma”.

“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve” – është deklarata e Senatorit zviceran, Dick Marty, dhënë së fundmi për mediat zvicerane, që shkaktoi polemika të mëdha në vend.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Marty, në Ballkan njihet më së miri, për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Tani, ai është nën mbrojtje 24-orëshe nga forcat ushtarake zvicerane.

Ish krerë të UÇK-së për Gazeta “Enigma”, thonë se organet e Kosovës duhet të hetojnë këtë rast, pasi deklarimet e Martyt vërtetojnë se edhe raporti i tij ishte sponsorizuar nga shërbimet sekrete serbe.

“Këshilli i Evropës t’i kërkoj falje Kosovës”

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, ka folur për Gazetën “Enigma”, pas deklarimeve të fundit të senatorit zviceran, Marty.

“Pretendimet për trafikim të organeve të civilëve serbë nga ana e ish UÇK-së në zonën kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës fillimisht u ngritën nga ish-kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte në librin e saj “Gjuetia”, të botuar në vitin 2008”, tha Klinaku.

Faton Klinaku, sekretar i OVL-së së UÇK-së

Pikërisht pas kësaj, sipas tij një numër organizatash ndërkombëtare kërkuan hetime rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që autoritetet në Prishtinë, por edhe ato në Tiranë, kundërshtuan fuqishëm pohimet, duke kërkuar hetime të paanshme.

“Zyrtarët në Prishtinë thanë se misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe Tribunali i Hagës kishin hetuar këto dyshime më parë, por nuk kishin gjetur prova që vërtetonin kryerjen e krimeve të pretenduara. Raporti i Dick Marty u miratua nga Këshilli i Evropës dhe pati jehonë të madhe në mediat botërore”, tha ai.

Tutje ai e ka quajtur turp faktin se Këshilli Evropian që ende s’i ka kërkuar falje Kosovës.

“Serbia ka lobuar dhe ka paguar njerëz në Kosovë dhe jashtë saj (në Evropë), çfarëdo nacionaliteti qofshin ata, për të kryer punë të pista dhe vepra kriminale e për t’i fajësuar shqiptarët. Se a e vrasin Dick Martyn apo jo, kjo çështje është e shtetit zviceran që t’i bëjë mbrojtje, por është turp nga Këshilli i Evropës që nuk merret tani me trafikimin e organeve që nuk ekziston në Gjykatën Speciale e të tregojë se ky ishte trillim si në filmat fantastiko-shkencor, dhe t’i kërkojë falje Kosovës”, ka thënë Klinaku.

Ish komandanti i UÇK-së kërkon zhbërjen e Speciales

Kurse ish komandanti i UÇK-së, Nait Hasani, duke i komentuar deklarimet e Maryt ka thënë se ato vërtetojnë se kush realisht ishin sponzorizuesit e raportit të tij.

“Pas 10 – 12 vitesh po del e vërteta se kush janë sponzorizuesit e Raportit të Dick Martyt, por në të njëjtën kohë dhe zhdukjen e tij po e kërkojnë po ata sponsorizues. Kjo tregon që ai raport është bërë nga shërbimet. Tani zhdukja e tij, ose vrasja e tij , eliminimi fizik ose atentati ndaj tij në një shtet demokratik sikur se është Zvicra, ku ka një numër të madh të shqiptarëve që punojnë atje, ka dashur t’ua m’vesh shqiptarëve si reaksion për shkak të burgosjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, kryetarëve të Kuvendit dhe të gjithë atyre atje, që ta rëndojnë këtë lëndë për shkak që kjo lëndë nuk ka bazë materiale që të gjykojë një President në Gjykatën Speciale”, ka thënë Hasani.

Ish-deputeti i PDK-së beson se ky rast, tani mund t’i ndihmoj Thaçit dhe të tjerëve për shkak se tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë.

Tutje, ai thekson se ky raport dhe rasti i Dick Martyt dëshmon se kjo është gjykatë politike dhe si e tillë duhet të zhbëhet.

Nait Hasani, ish komandant i UÇK-së

“Kjo politikisht i ndihmon mjaft shumë Thaçit dhe të tjerëve për shkak se tregon sponsorizimet dhe vijën si ka shkuar prej fillimit deri më tani dhe i ndihmon që Bashkësia Evropiane ta kuptojë kush është Serbia, veprimet dhe se çka është në gjendje të bëjë për të arritur një qëllim të caktuar”, ka shtuar ai.

Ish-ambasadori shtoi që institucionet e Kosovës duhet të angazhohen në këtë drejtim që ky raport dhe ky rast i Dick Martyt të prezantohet tek misionet diplomatike si rastin më të rendë të mundshëm diplomatik që po i ndodh Kosovës.

Tentimi i Serbisë për të mbjellë urrejtje ndaj Kosovës në botë

Pas informacioneve se ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, është kërcënuar me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve inteligjente serbe, ka reaguar politikani zviceran Cédric Wermuth.

Wermuth ka shkruar në “Facebook” se tentimin për vrasjen e Martyt nga Serbia dhe më pas t’u lihej faji shqiptarëve, e ka quajtur të papranueshme.

“Por kjo është e papranueshme: shteti serb u përpoq ta vriste Martin dhe fajësojë ish-luftëtarët e UÇK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po përpiqet në mënyrë agresive të mbjellë urrejtje dhe dhunë në rajon dhe ta ndajë Kosovën nga Evropa.

Ai ka shtuar se Kosova është shtet i pavarur dhe Serbia bashkë me Vuçiqin duhet ta pranojnë këtë realitet.

“Më lejoni të jem shumë i qartë: ne nuk do ta lejojmë këtë. Pres që qeveria zvicerane dhe Evropa të jenë shumë të qarta me Vuçiqin: Mos ndërhyni në të drejtën e Republikës së Kosovës për vetëvendosje. Kosova është shtet i pavarur, pranoje. Ndaloni nxitjen e dhunës dhe urrejtjes”, ka deklaruar Wermuth.

Sipas mediave zvicerane, ish-senatori Dick Marty është vënë nën mbrojtje të rreptë policore që nga dhjetori i vitit 2020 për shkak të një kërcënimi të vlerësuar “serioz”.

Masat mbrojtëse, përfshijnë mbrojtjen e afërt gjatë paraqitjeve në hapësira publike ose masa teknike të mbrojtjes në shtëpi.

Ndryshe, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë. / Gazeta Enigma.

Related Articles