Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka dhënë një paralajmërim tjetër të ashpër për shtetet perëndimore – veçanërisht Mbretërinë e Bashkuar – për inkurajimin dhënë Ukrainës që ta çlirojë tërë vendin duke përzënë rusët, raportoi The Guardian të enjten.
Ajo ka thënë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensku “po përdorej” nga Perëndimi dhe i tha Perëndimit që të ndalonte së provuari durimin e Rusisë.
“Një agresion i tillë kundër Rusisë nuk mund të mbetet pa një përgjigje. Do të donim që Kievi dhe kryeqytetet perëndimore ta marrin seriozisht deklaratën nga Ministria ruse e Mbrojtjes se provokimi i mëtejmë që shtyn Ukrainën të godasë caqe ruse do ta ketë përballë një përgjigje të ashpër nga Rusia”, tha ajo.
Ajo kërcënoi edhe me sulme ndaj personaliteteve perëndimore që vizitojnë Ukrainën.
“Autoritetet nga shtetet perëndimore që qëndrojnë në qendrat vendimmarrëse të Ukrainës nuk do të jenë domosdoshmërisht problem për masat e reagimit të Rusisë. Ne nuk këshillojmë që të vazhdojnë ta provojnë durimin tonë”.
Ajo përmendi ministrin e Forcave të Armatosura të Britanisë, James Heappey, duke thënë se fjalët e tij që sugjerojnë se është krejtësisht legjitime që Ukraina ta sulmojnë logjistikën ruse, është marrë si thirrje për Kievin që të veprojë.
“Në fjalë të tjera, Heappey po thërriste Kievin që të përdorte armët e ofruara nga shtetet e NATO-s”.
Ajo shtoi tutje se qeveria ukrainase është një regjim në duart e Perëndimit, pa pavarësi, dhe duke iu drejtuar Zelenskyt: “ti po përdoresh”.