Kërkesa për shtimin e qendrave të vaksinimit, këto janë komunat që mund të mbulojnë shpenzimet me mjete vetanake

Kërkesa për shtimin e qendrave të vaksinimit, këto janë komunat që mund të mbulojnë shpenzimet me mjete vetanake

Me rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus, është shtuar edhe interesimi i qytetarëve për të marrë vaksinat anti-COVID, shkruan Gazeta Enigma.

Por, stafi shëndetësor përgjegjës për vaksinim nëpër qendra të vaksinimit mbetet i njëjtë, ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se tash e tutje vaksinimi do të bëhet edhe të shtunave.

Ndërsa, kryetarët e komunave të Kosovës po kërkojnë që vaksinimi të mos ndërpritet as ditën e diel.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Gazetën “Enigma” se gjatë takimit me ministrin Vitia, kanë kërkuar që të shtohen qendrat e vaksinimit, e të punohet edhe të dielave.

“Për shkak që Kosova gjendet në një situatë emergjente, duhet që stafi nëpër qendrat e vaksinimit të punoj edhe gjatë të dielave”, ka thënë Ibrahimi.

I pyetur se a kanë mundësi komunat t’i mbulojnë financiarisht këto shpenzime për hapjen e qendrave të reja, Ibrahimi tha se janë deklaruar disa prej komunave.

“Komunat më të fuqishme nga aspekti financiar si Vushtrria e Suhareka janë zotuar që mund të mbulojnë shpenzimet me mjete vetanake”,ka shtuar ai, derisa ka theksuar se komunat kanë kërkuar që edhe ato nëpër fshtatra që janë, me i shtu këto qendra të vaksinimit.

“Komunat kanë kërkuar që Qendrat e Mjekësisë Familjare, jo vetëm kryesorja por edhe ato nëpër fshatra që janë, me i shtu këto qendra të vaksinimit, sepse po shihet që interesimi i qytetarëve për tu vaksinuar është rritur, por edhe nevoja për vaksinim është shtuar, po ashtu e vetmja mundësi për të parandaluar përhapjen e këtij variantit Delta të COVID-it është vaksinimi”, ka potencuar Ibrahimi.

Procedura e angazhimit të 1 mijë punëtorëve shëndetësor të cilët janë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, siç tha Ibrahimi nuk dihet se kur do të bëhet, ndërkaq kërkesa për shtim të kapaciteteve të vaksinimit është e menjëhershme.

Ndërsa, edhe Ismet Uruqi, përgjegjës për procesin e vaksinimit në qendrën e komunës së Gjilanit ka thënë për Gazetën “Enigma”, se stafi do të punoj për dy javë rreshtë edhe të shtunave.

Uruqi ka theksuar se kryetarët e komunave janë takuar me ministrin Vitia, ku në bazë të informacioneve të tij, që nga muaji shtator stafi do të fillojë të punoj edhe të dielave për një muaj të tërë.

“Gjendja në komunën tonë është stabile, kemi rreth 1500 termine në ditë. Stafi po e mbulon shumë mirë punën, derisa prej kësaj jave 21-28, që do të thotë stafi do të punojë dy vikende edhe të shtunave. Ndërsa për në shtator, ka mundësi që kërkesa të jetë që stafi të punoj tërë muajin”, ka thënë Uruqi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për angazhimin e përkohshëm të 1.116 profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës për tre muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre të tjerë shtesë, si pjesë e luftimit të pandemisë.

Për këtë qëllim Ministria e Financave ka ndarë mbi 3 milionë euro.

Vlen të theksohet se deri më tani numri total i dozave të administruara ka arritur në 644, 212, ndërkaq Kosnett, Osmani dhe Kurti presin dërgesën e parë të vaksinave nga ShBA-ja.

/Gazeta Enigma/.

Related Articles