Kryetari i Grupit të Miqësisë Kosovë-Turqi, Enis Kervan ka bërë të ditur se Kryesia e Kuvendit do t’i drejtohet Qeverisë me kërkesën për të ndarë fonde dhe për t’i ofruar ndihmë njerëzore Turqisë pas tërmetit tragjik.
Në një prononcim në emisionin “Magazina” të Radio Dukagjini ai ka thënë se kjo vjen pas kërkesës së tij për të ndihmuar familjet e prekura pas tërmetit që ka goditur Turqinë dhe Sirinë.
“Kemi ndarë dhimbjen duke shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, ka ende fëmijë që kanë mbetur nën rrënoja, ende mund të vazhdojnë tërmetet, shpresojmë që të mos ketë rritje të numrit”, ka deklaruar Kervan.
Deputeti nga grupi parlamentar multietnik shpreson që të mos ketë rritje të numrit të viktimave ku deri më tash ka arritur mbi 1500.
“Temperaturat e ulëta janë duke e keqësuar situatën, në anën tjetër ka pritje që ka me u rritë numri, shpresojmë të mos rritet”, ka vijuar ai.
Deri më tani më shumë se 1.500 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe Siri pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë që goditi Turqinë herët të hënën, duke plagosur mijëra të tjerë në të dy vendet.