KESCO dhe KEK-u arrijnë marrëveshje për të mos e shtrenjtuar rrymën

KESCO dhe KEK-u arrijnë marrëveshje për të mos e shtrenjtuar rrymën

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike e Kosovës (KESCO) ka njoftuar të martën se është arritur një marrëveshje e përbashkët me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), me qëllim menaxhimin më efikas të kostove të furnizimit me energji elektrike.

“Në këtë periudhë sfiduese për sektorin energjetik, e karakterizuar nga rritja e nevojës për import të energjisë elektrike, kjo marrëveshje është pjesë e përpjekjeve të koordinuara ndërmjet institucioneve dhe ndërmarrjeve të sektorit energjetik për të ruajtur stabilitetin e sistemit dhe për të mbrojtur konsumatorin fundor”, thuhet në njoftim.

Në thelb të kësaj marrëveshjeje thuhet se qëndron aplikimi i një mekanizmi të përkohshëm të shpërndarjes së kostove, i propozuar nga ZRRE, i cili sipas njoftimit, synon të shmangë ndikimin e menjëhershëm të rritjes së kostove në tarifat e energjisë elektrike.

Për marrëveshjen ka njoftuar edhe KEK-u.

“Në kuadër të procesit të shqyrtimit tarifor për vitin 2026 dhe bazuar në raportin konsultativ të ZRRE-së, është theksuar nevoja për koordinim ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s, me qëllim ruajtjen e stabilitetit tarifor dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike. Në këtë kontekst, KEK ka arritur marrëveshjen për zbatimin e një mekanizmi të profilizimit të kostove, i cili parasheh riprogramimin e obligimeve që lidhen me furnizimin me energji elektrike për periudhën janar–mars 2026. Qëllimi i këtij mekanizmi është shpërndarja më e balancuar e barrës financiare ndërmjet viteve tarifore, duke shmangur ndikimin e menjëhershëm në tarifa”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Related Articles