Anëtari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, ka deklaruar se ende askush nuk e ka shpallur kandidaturën për të parin e PDK-së.
Ai ka dhënë informacione për mbledhjen e sotme të PDK-së, derisa ka pohuar se po përflitet shpallja e kandidaturës për kreun e partisë nga Enver Hoxhaj dhe Memli Krasniqi.
“Temë qendrore sot janë parapërgatitjet për konventën zgjedhore. Në kuadër të partisë ekziston një komision që po e përgatit konventën. Më 1 korrik është afati i fundit i paraqitjes së kandidaturës. Ende nuk kemi një kandidaturë zyrtare. Kandidatët e moçëm duhet të shpallin kandidaturat sa më shpejtë. Deri tani s’ka asgjë zyrtare, ka përfolje edhe për zotin Hoxha edhe për zotin Krasniqi”, ka thënë ai.
Cakolli tutje ka thënë se ai do të kërkojë që kandidatët të shpallin sa më shpejt kandidaturat e tyre, pasi që një ngjarje e tillë është shumë e rëndësishme për gjithë vendin.
“Zgjedhja e kryetarit është ngjarje për tërë Kosovën. Unë do të kërkoj që kandidatura të shpallet sa më shpejtë që është e mundur. Gara është e hapur, të gjithë ata që i plotësojnë kriteret mund të kandidojnë”, ka shtuar ai.