Këta janë tre personat që e rrëmbyen 21-vjeçarin në Prishtinë për borxh, kapen dy prej tyre

Këta janë tre personat që e rrëmbyen 21-vjeçarin në Prishtinë për borxh, kapen dy prej tyre

Nga një rast i rrëmbimit që ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku një 21-vjeçar është marrë me forcë nga tre persona, që dyshohet se e kanë rrahur dhe ia kanë kërkuar borxhin që ua kishte, të dyshuarit janë identifikuar nga Policia dhe si rezultat dy prej tyre janë arrestuar – teksa një tjetër është shpallur në kërkim.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit që janë kapur janë Adhurim Pacolli dhe Ardit Kelmendi, ndërsa i dyshuari që ndodhet në arrati është Leondrit Kryeziu.

Por si ndodhi rasti?

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i riu është rrëmbyer të dielën në mbrëmje nga tre persona, afër shtëpisë së tij në Hajvali, ku është marrë me dhunë nga të dyshuarit dhe është dërguar në një fshat të Prishtinës.

Siç mëson Sinjali, tre të dyshuarit, të cilët kërkonin nga i riu paratë që ua kishte marrë, e kanë sulmuar fizikisht të njëjtin si “hakmarrje” e madje edhe e kanë kërcënuar seriozisht me një armë të gjatë.

Për të mos mbaruar me kaq, sipas të njëjtave burime, të dyshuarit më pas kanë vendosur që t’ia marrin veturën viktimës, si “kompensim” në vend të 200 eurove dhe të njëjtin e kanë kthyer sërish te shtëpia e tij.

Posa rasti është denoncuar, njësitë policore janë vënë në lëvizje për të identifikuar të dyshuarit, dy prej të cilëve janë prangosur – teksa shtëpitë e tyre kanë qenë cak i bastisjeve.

Si rezultat i kontrolleve që janë kryer, janë gjetur çelësi i veturës së viktimës, një armë dhe dëshmi të tjera, që janë sekuestruar si prova lidhur me rastin.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin dhe më pas janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe dorëzimin e kallëzimit brenda afatit ligjor, ndërsa hetimet për kapjen e të dyshuarit të tretë po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles