Akuza të rënda adresoi kundrejt ish krerëve të UÇK-së, që po mbahen në Hagë, Imer Imeri, mbështetës i LDK-së gjatë luftës, Imer Imeri, raporton Gazeta Enigma.
Ai teksa po dëshmonte sot në Speciale në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, iu drejtua ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përmendur vrasjen e vëllait të tij, aktivistit të LDK-së, Haki Imeri në nëntor të vitit 1999.
Imer Imeri tha se e ka të vështirë t’i harrojë keqtrajtimet dhe vuajtjet që tha se iu shkaktuan atij në vitin 1999. Ai iu referua Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit me “këta”, duke shtuar se “ma vranë vëllanë”.
“Është vështirë me i harru. Sikur të mos m’u kish vra vëllau ndoshta isha përpjek me e harru, por këta ia vënë kulmin e të gjitha të këqijave kur ma vranë vëllanë, një djalë i një familjeje kombëtare, një djalë i shkolluar, kur u bë me i vy shtetit e vetit, me u çu e me e vra, me ia marrë jetën, edhe me thënë ‘s’di kush e vrau’. Këta të katërt janë të institucioneve të Kosovës, ku kanë shërby? Me u vra të gjithë ata njerëz edhe mos me u ditë kurrë kush i vrau. Heshtje, gjithmonë heshtje. Ajo më ka shty të jem i hapur këtu para drejtësisë dhe t’i shiqoj në sy. Jam shumë i kënaqur me juve të nderuar [iu drejtohet gjykatësve]. Zoti qoftë i kënaqur me ju”, tha Imer Imeri, pasi mbrojtësja e viktimave e pyeti nëse ai do të mund t’i harrojë ato që thotë se i ndodhën.
Njëri nga avokatët ndërhyu, duke i kërkuar kryetarit të trupit gjykues që të ndërhyjë.
Imeri foli për vuajtjet që tha se i ka përjetuar. / Gazeta Enigma.