Java e 27-të në ProCredit Superligë pritet të sjellë përballje shumë interesante dhe sfida të rëndësishme në prag të fillimit të garave shtesë, ku ekipet synojnë pozicionim sa më të favorshëm në tabelë.
Trepça dhe Bashkimi tashmë kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të “Play-off”-it, ndërsa një garë e ashpër po zhvillohet për katër vendet e tjera që çojnë në fazën vendimtare, si dhe për ekipet që synojnë mbijetesën në elite, transmeton Klankosova.tv.
Golden Eagle Ylli dhe Peja kanë pikë të barabarta, por objektivi i tyre mbetet vendi i katërt, i cili siguron epërsinë e terrenit vendas në ndeshjet çerekfinale, një avantazh i rëndësishëm në këtë fazë të garës.
Sfida shumë të rëndësishme janë në program për t’u zhvilluar të shtunën.
Rahoveci 029, pas fitores ndaj Vëllaznimit, hyn në këtë xhiro i motivuar për një tjetër sukses, teksa do të përballet me kampionin dhe liderin aktual, Trepçën.
Vreshtarët renditen në vendin e shtatë me nëntë fitore dhe 17 humbje, ndërsa mitrovicasit kryesojnë me 23 fitore dhe vetëm tri humbje.
Një tjetër ndeshje e rëndësishme është ajo mes Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit.
Prishtinasit kanë regjistruar dhjetë fitore dhe 16 humbje, ndërsa skuadra kuqezi ndodhet në vendin e fundit të tabelës me tetë fitore dhe 18 humbje, duke kërkuar pikë jetike për mbijetesë.
