Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se në rast se e merr besimin e qytetarëve për të udhëheqë kryeqytetin, ai do të kërkoj uljen e doganës për automjetet më të reja në mënyrë që të ndodhë përmirësimi i cilësisë së ajrit, raporton Gazeta Enigma.
Haradinaj ka thënë se Prishtina është më e ndotur se qytetet e tjera për shkak të dyndjes së madhe të automjeteve që përdoren për transport.
“Prishtina si Kryeqytet me 30% të popullsisë totale të Kosovës, është më e ndotur se qytetet e tjera për shkak të dyndjes së madhe të automjeteve që përdoren për transport. Gjithashtu, edhe nga profesionistë të fushës vërtetohet një gjë e tillë, ku sipas tyre mjetet e transportit mbeten ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kryeqytet”.
Ai ka thënë se përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve të Prishtinës do të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme.
“Në shërbim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, nëse e marr besimin e qytetarëve, gjatë mandatit tim qeverisës do të insistoj nga institucionet përkatëse (Qeveria dhe Kuvendi) për uljen e doganës për automjetet më të reja. Pra, sa më i ri që është automjeti, aq më e ulët të jetë dogana. Përveç përfitimit për qytetarët, kjo nismë legjislative do të merrte përkrahje edhe nga komunat e tjera dhe bizneset që si fushëveprimtari kanë tregtinë me automjete. Përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve do të jetë prioritet i qeverisjes së ardhshme”.