Këto janë provat e sekuestruara nga shteti në Ministrinë e Bujqësisë

Këto janë provat e sekuestruara nga shteti në Ministrinë e Bujqësisë

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale zbarkuan dje në Ministrinë e Bujqësisë, si rezultat i nisjes së hetimit mbi dyshimet për fabrikën e mbetjeve shtazore.

Pos kësaj Ministrie, janë kryer kontrolle edhe në AUV, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor si dhe te lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës.

Për këto zhvillime është intervistuar si i pandehur ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci. Këtë e konfirmoi dje Prokuroria Speciale.

Veç ministrit, është marrë në pyetje edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha.

Për rastin, Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje përmes raportit 24 orësh ku ka treguar se çka u sekuestrua.

Gjatë kontrollit u morën pajisje elektronike (kompjuterë, telefona) si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës.

“Më 27.05.2025, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike (kompjuterë, telefona), si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës. Dy persona meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe pas intervistimit në prani të avokatëve me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi policia

LEXO EDHE:

Related Articles