Misioni i KFOR-it ka dhënë një njoftim të shkurtër pas takimit trilateral mes Kryeministrin e Kosovës dhe me Shefin e misionit të EULEX-it.
“Sot Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka takuar kryeministrin Albin Kurti dhe shefin e misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigermark, për të diskutuar çështjen e sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në Twitter.
Ndërkaq në njoftimin e Qeverisë thuhej se në këtë takim ka pasur konstatim të përbashkët se duhet hequr barrikadat.
“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhej në njoftimin e Qeverisë pas takimit me krerët e misioneve.
Ndërkaq, po sot, Kryeministri Kurti ka mbledhur Këshillin për Siguri Kombëtare. Në një kumtesë dërguar mediave, Zyra e Kurtit tha se Policia e Kosovës i ka mundësitë dhe gatishmërinë për të vepruar për heqjen e barrikadave, por po e pret të veprojë KFOR-in.
“U theksua se brenda këtyre 17 ditëve që nga ngritja e barrikadave ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in. Po ashtu, u ritheksua se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar por siç dihet tashmë, jemi në pritje të veprimeve nga KFOR-i”, u tha në njoftimin e ZKM-së.