Kilaj pas vizitës të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë: Kam parë një moral të jashtëzakonshëm tek ta

Kilaj pas vizitës të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë: Kam parë një moral të jashtëzakonshëm tek ta

Ish-kandidati për kryetar të Malishevës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Isni Kilaj, dje ka takuar në Hagë, ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kreun e Kuvendit, Kadri Veseli dhe ish-deputetin, Rexhep Selimi.

“Kam shkuar si shok, mik dhe bashkëpunëtor i pasluftës dhe kam kalu mirë. Kam parë një moral të jashtëzakonshëm atyre burrave që janë atje – ata, ne që i vizitojmë dhe të gjithë qytetarët besoj se e dinë që ata nuk janë për krime lufte, sjellje të këqija – por janë për çështjen e Kosovës dhe padrejtësisht po mbahen në Hagë”.

“U ndjeva shumë mirë që i takova, por edhe keq pasi në rrethanat që ata ndodhën padrejtësisht në Hagë e gjitha është çështje politike e këtë po e vërteton edhe koha”, tha Kilaj.

Kilaj, në Klan Kosova FM, tha se ish-krerët e UÇK-së ishin mirë me shëndet.

“Janë mirë me shëndet, kanë një dhomë të posaçme për vizita. Aty s’kemi pas monitorues mbi kokë por dihet se jemi në një institucion që kryhen hetime – nënkuptohet se s’mund të flasësh çfarë të duash. Jo që kemi pas të mbajmë gjëra të fshehta, por, nuk mund të flasësh pasi mund të jesh çdoherë në vëzhgim”, tha ai.

Tutje, Kilaj, tha se edhe pse janë në Hagë ata janë të informuar për gjithçka, veçse në takime me ta nuk folën për politikë – por për muhabete miqsh.

Related Articles