Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ka biseduar të martën me homologun e tij ukrainas, duke bërë thirrje për zgjidhjen e krizës përmes negociatave, raportoi media shtetërore kineze, teksa Pekini ka nisur të evakuojë qytetarët e saj nga Ukraina.
Kina është në pozitë të vështirë diplomatike që prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, pasi ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë, që është një aleate e ngushtë e Pekinit.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, gjatë një bisede telefonike i tha homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba “se i vjen shumë keq për shpërthimin e konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë dhe po i kushton shumë vëmendje dëmit që po përjetojnë civilët”, raportoi transmetuesi shtetëror CCTV, përcjell Gazeta Enigma.
CCTV po ashtu tha se biseda ndodhi me kërkesën e Ukrainës dhe se Wang u bëri thirrje të dy shteteve që të “gjejnë mënyra që ta zgjidhin këtë çështje përmes negociatave”.
“Kina mbështet të gjitha përpjekjet konstruktive ndërkombëtare që po ndërmerren drejt një zgjidhjeje politike”, tha Wang.
Sipas CCTV, Kuleba tha se Ukraina “mirëpret që Kina të nisë ndërmjetësimin në mënyrë që të arrihet deri te një armëpushim”.
Kina ka nisur që të evakuojë qytetarët e saj nga Ukraina për shkaqe të sigurisë, teksa Pekini ende po refuzon që ta dënojë pushtimin rus.
Kina ka thënë se deri të martën janë evakuuar për në Moldavi 700-800 shtetas kinezë.