“Kishte gjak kudo”, dëshmitarët të tronditur pas të shtënave në Suedi

“Kishte gjak kudo”, dëshmitarët të tronditur pas të shtënave në Suedi

“Kishte gjak kudo”, u tha 16-vjeçari Linn gazetarëve për skenën e djeshme, të cilën kryeministri suedez e përshkroi si të shtënat masive më të këqija në historinë e vendit.

11 persona vdiqën pas sulmit të së martës në një qendër arsimore për të rritur në qytetin e Orebro, duke përfshirë edhe të dyshuarin e armatosur. Policia thotë se numri i të plagosurve mbetet i paqartë.

Linn, i cili shkon në një shkollë tjetër pranë zonës, i tha agjencisë së lajmeve AFP se “ishte kaos” dhe se njerëzit ishin në panik dhe duke qarë, shkruan BBC.

Ajo që gjithashtu nuk dihet ende është motivi i sulmit, por policia ka thënë se “gjithçka tregon” se ai nuk ishte ideologjik.

Kryeministri Ulf Kristersson tha se ishte e vështirë për të kuptuar përmasat e asaj që ndodhi. Flamujt në ndërtesat qeveritare, parlamentin dhe pallatet mbretërore do të valëviten në gjysmështizë të mërkurën, tha zyra e shtypit e kryeministrit.

Një nxënëse në shkollën Risbergska kujtoi se si ajo dhe të tjerët u përpoqën të ndihmonin një nga viktimat.

“Një djalë pranë meje u qëllua në shpatull. Ai kishte shumë gjak. Kur shikova pas meje, pashë tre persona të shtrirë e të gjakosur”, tha Marwa, e cila dha vetëm emrin e saj, për TV4 Suedi.

Marwa tha se ajo dhe një mik tjetër u përpoqën të ndihmonin personin e plagosur duke i mbështjellë një shall rreth shpatullës së burrit me qëllimin për t’ia ndalë gjakderdhjen.

“Të gjithë ishin kaq të tronditur”.

Mësuesja Lena Warenmark kujtoi se kishte dëgjuar rreth 10 të shtëna armësh pranë dhomës së saj, duke thënë për radion publike suedeze se dëgjoi disa të shtëna me radhë, të ndjekura nga një pauzë e shkurtër dhe më pas disa të tjera.

Related Articles