Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka folur rreth situatës së krijuar së fundmi në Kosovë, ku u shënua rritje e madhe e rasteve të reja me COVID-19.
Ai tha se lufta krysore për pandeminë është vaksinimi i popullsisë. Sadiku tregoi edhe pse u shtua numri i rasteve të reja me koronavirus.
“Ne i kemi 45 për qind të qytetarëve të vaksinuar. Me dozën e tretë janë mbi 100 mijë, numër shumë i vogël. Kur fillojnë të rriten numrat kudo nëpër vende, ku numri i të pavaksinuarve që s’kanë imunitet kanë shanca më shumë të bien në kontakt me njerëzit e infektuar dhe menjëherë infektohen. Kemi parë që përhapja është shumë e madhe, sidomos e variantit Omicron”, tha Sadiku.
Ai tregoi edhe disa nga arsyet e mundshme për rritjen e numrit të rasteve me këtë virus.
“Relaksimi i situatës, heqja e maskave, situata e mirë epidemiologjike, te njerëzit e hjek atë frikën dhe njerëzit kur kanë pas frikë ka pasur më shumë tendencë për vaksinim”.
Sadiku nuk e mohoi mundësinë që Kosova të hyjë në një fazë të re të COVID-19, duke thënë se rritja e numrit të rasteve rrezikon paraqitjen e varianteve tjera.
“Mund të hyjmë në një fazë tjetër të COVID, por nuk besoj që do të jetë më e keqe sepse një numër i madh i qytetarëve e kanë kaluar sëmundjen dhe ka imunitet natyror, por rritja e numrave të rasteve në nivel global rrezikon paraqitjen e varianteve dhe mutacioneve dhe ndryshimet që i bën virusi, e që janë më rezistente ndaj vaksinës”, ka thënë ai në t7.
Ai tha se po bie efekti i vaksinësn antiCOVID, por po punohet në një variant tjetër.
“Po bëhen ndryshime në vaksinë, sepse konsiderohet se po bien efektet e vaksinës. Në vjeshtë po pritet të bëhet një variant tjetër të vaksinës, që do të përfshijë më shumë variante të SarsCov-2. Edhe ne në Kosovë duhet të jemi më të vëmendshëm”, deklaroi ai.