Ndonëse zuri faqet e para të mediave botërore si kryeministrja e parë femër në Suedi, disa orë më vonë Magdalena Andersson ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë.
Vendimi erdhi menjëherë pasi parlamenti nuk kaloi buxhetin për vitin e ardhshëm dhe sepse një nga partitë e koalicionit vendosi të dalë nga qeverisja. Më pas, parlamenti miratoi buxhetin e hartuar nga opozita e cila përfshin dhe të djathtë ekstreme.
“I thashë kryetarit të Kuvendit se dua të jap dorëheqjen”, u shpreh Andersson, e cila gjithashtu shtoi se dëshiron të jetë sërish kryeministre, por e një qeverie me një parti.
“Ka një praktikë kushtetuese që thotë se një qeveri koalicionin duhet të dorëhiqet kur një nga partitë tërhiqet. Nuk dua të drejtoj një qeveri, legjitimiteti i të cilës vihet në pikëpyetje”, shtoi ajo.
Kryetari i parlamentit më pas njoftoi se do të bisedojë me drejtuesit e partive për të vendosur për hapin e radhës që do të ndiqet, pas situatës së krijuar./A2CNN