Përveç tre të vrarëve nga sulmi në një lokal në Gjilan, një tjetër po trajtohet në QKUK, pasi mbeti i plagosur.
Bëhet fjalë për Bujar Hoxhën, i cili besohet të jetë një nga personat kyç të përfshirë në këtë ngjarje.
Drejtori i Kirurgjisë Abdominale, Enver Fekaj, tha për Gazetën Enigma se gjendja e pacientit është stabile dhe se i njëjti është i vetëdijshëm dhe komunikativ.
“Ai ka pasur lëndime të kokës, por jo lëndime serioze. Vetëm lëndime sipërfaqësore, të cilat janë përpunuar në formë të plagëve me anestezion lokal. Ka pasur gërvishtje në të dy duart, por lëndimin më serioz e ka pasur në abdomen dhe ky lëndim ka kërkuar trajtim kirurgjik. Ka pasur lëndime edhe në organet e brendshme, në zorrën e hollë”, tha Fekaj për “Engimën”.
“Pacienti aktualisht është në një prej reparteve të kirurgjisë abdominale, po trajtohet dhe po përcillet. Gjendja e tij për momentin është stabile. Pacienti është në gjendje stabile. Po besoj që do kalojë pa probleme”.
“Pacienti është i vetëdijshëm, komunikon. Vetëdija është komplet e ruajtur”, tregoi më tutje Fekaj.