Një dioqezë katolike në Sicili të Italisë u ka kërkuar publikisht falje disa prindërve të zemëruar, pasi kleriku i saj u tha fëmijëve të tyre se babadimri nuk ekziston.
Kleriku Antonio Stagliano nuk i pati me gjithë mend komentet dhe ishte duke u përpjekur që ta theksonte kuptimin e vërtetë të Kërshëndellave dhe të rrëfimit për Shën Nikolasin, klerikun që u jepte dhurata të varfërve dhe ishte përndjekur nga një perandor romak, tha Alessandro Paolino, drejtor për komunikim në dioqezën e Noto-s.
Raportimet e medieve italiane e citojnë Stagliano-n të ketë thënë gjatë një festivali fetar, të mbajtur së fundi, se babadimri nuk ekziston dhe se konstumi i tij i kuq është krijuar nga kompania e njohur e pijeve, “Coca-Cola”, për publicitet, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta “Enigma”.
“Para të gjithave, në emër të klerikut, e shpreh pikëllimin tim për këtë deklaratë, e cila ka krijuar zhgënjim te fëmijët, dhe dua të saktësoj se qëllimet e Stagliano-s kanë qenë goxha ndryshe”, tha Paolino.
“Qartazi, ne nuk duhet që ta shembim imagjinatën e fëmijëve, por duhet të nxjerrim shembuj të mirë prej saj, që janë pozitive për jetën”, vazhdoi ai.
Përderisa disa e mirëpritën përpjekjen e klerikut për t’u përqendruar në kuptimin katolik të Kërshëndellave, të tjerët e fajësuan atë për ndërhyrje në traditën dhe festat familjare dhe shtypjen e ndjenjave të fëmijëve, periudha fillestare e jetës së të cilëve është penguar nga pandemia./Gazeta “Enigma”/