Ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se të enjten, Nasim Haradinaj është duke bërë paraqitje dinjitoze në Gjykatën Speciale në Hagë, raporton Gazeta Enigma.
Klinaku ka theksuar se Haradinaj në Speciale po tregon të vërtetat.
“Paraqitja e Nasimit është dinjitoze. Po e tregon një realitet se çfarë ngjarjesh kanë pasur atëherë edhe pse ju e dini që ato ngjarje që janë zhvilluar atëherë ne kemi qenë gjithmonë transparent dhe çdo gjë ka qenë e filmuar. Poashtu ne kemi paraqitur edhe në bazë të disa sekuencave që kanë xhiruar kamerat dhe i kemi paraqitur ato dokumentacione, dosa apo si do që t’i quash. I kemi paraqitur para mediave si diçka që na ka ardhur neve”, ka thënë ai.
Më tutje zyrtari i OVL-UÇK-së deklaroi se çdo gjë e kanë bëtë me vetëdije dhe e kanë ditur që ndaj tyre mund të ngritët ndonjë aktakuzë.
“Çdo gjë e kemi bërë me vetëdije dhe e kemi ditur që edhe mund të na ngrisin ndonjë aktakuzë, por e kemi bërë për interesin publik. Kjo ka mund të bëhet dhe e ka pasur edhe obligim çdo qytetarë i Kosovës që ta informojë publikun për diçka që është e keqe për qytetarët”, tha ai.
Lidhur me atë se kush i solli dokumentet e Speciales në OVL-UÇK, Klinaku pretendon se mund të kenë qenë vet zyrtarët e Speciales.
“Jo nuk e dimë, por është fakt kjo që përderisa kanë dalë nga zyrat e tyre natyrisht që edhe vet i kanë sjellë. Ne nuk kemi mundur që të shkojmë atje në Hagë. Ata i kanë nxjerr nga zyra, ata e dinë edhe personin që i kanë sjellë ato”, deklaroi Klinaku.
Ndryshe, gjatë ditës së tretë të dëshmisë së tij, Nasim Haradinaj ka deklaruar se nuk pendohet për veprimet e tij përmes së cilave ka bërë të ditur se në organizatë kishin arritur dokumente nga një person i panjohur për tre herë me radhë.
Nga prokurori, Haradinaj është pyetur nëse është penduar për veprimet e tij lidhur me ngjarjen që lidhet me dokumentet që ishin dorëzuar në organizatë.
“Për atë të cilën unë e pranova dhe jo atë të cilën ti po pretendon, asnjë grimë nuk ndjehem i penduar, sepse e kam bërë me vetëdije timen dhe thellë i bindur se është në dobi të transparencës dhe interesit publik, kështu që e kam kryer vetëm një obligim që unë kam menduar që më është dashur ta kryejë, asnjë gjë më tepër dhe ajo është marrja prej aty dhe qitja deri aty, për deri këtu asnjë gjë nuk pendohem”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se veprimet që lidhen me dokumentet i ka ndërmarrë duke pasur parasysh interesin publik./Gazeta Enigma/