Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur të premten në rrugën “Bajram Curri”, në Klinë, ku një person dyshohet se e ka kërcënuar me armë të birin e tij. Bëhet fjalë për një plak të moshës 93-vjeçari i cili ka përfunduar në ndalim policor, nën dyshimet se ka kanosur me vrasje djalin dhe nipin.
Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur familjarët u shokuan teksa panë 93-vjeçarin me armë në dorë në oborrin e shtëpisë. Kjo alarmoi ata për ta kuptuar se çfarë po ndodhë, derisa u lajmërua djali i tij, i cili tha se pas një mosmarrëveshje me babain, ky i fundit po e kërcënon.
Për shkak të rrezikut që u kanosej, dikush nga familja njoftoi Policinë para se të ndodhte diçka e keqe, Njësitet policore u vënë në veprim menjëherë dhe kontrolluan shtëpinë me urdhër të Prokurorit, ku gjetën dy armë dhe mbi 100 fishekë, që u konfiskuan nga Policia.
I dyshuari 93-vjeçar fillimisht mori tretman mjekësor për shkak të gjendjes dhe më pas u dërgua në stacion policor, ku edhe aty vazhdoi me sjelljet e njëjta.
Ai po dyshohet se i ka kërcënuar djalin dhe nipin e tij me vrasje, deklarata këto që e bënë Prokurorin e Shtetit të nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, duke shtuar edhe faktin që i njëjti posedonte armë pa leje.