Janjiq thotë se Vuçiq pret që Serbia të përballet me sanksione amerikane shkaku i Radoiçiq

Janjiq thotë se Vuçiq pret që Serbia të përballet me sanksione amerikane shkaku i Radoiçiq

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Lista Serbe, e cila është pjesë e Qeverisë së Kosovës, të mbështesë në mënyrë më aktive ndëshkimin e personave që janë në listën e sanksioneve amerikane, përfshirë edhe nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Për momentin, SHBA-të nuk presin aktivitet të menjëhershëm nga Serbia, por presidenti Vuçiq, me nervozizëm të justifikuar, mund të presë sanksione për vetë Serbinë, thekson Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike.

Janjiq ka komentuar deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, për personat nga Kosova që janë në listën e sanksioneve amerikane.

Hovenier është takuar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe pas takimit, në një deklaratë për media ka theksuar se i ka kujtuar Rakiqit se nënkryetari i tij, Milan Radoiçiq është në listën e sanksioneve nga Departamenti Amerikan i Thesarit.

“Në këtë takim, ia kujtova (Goran Rakiqit) një çështje specifike, por jo në kontekstin e deklaratës së fundit, por për t’i kujtuar njerëzve se Milan Radoiçiq ishte vendosur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së dhe sipas informacioneve tona, ai është i lidhur me grupet kriminale ndërkombëtare dhe korrupsionin dhe e informova për qëndrimin e SHBA-së në lidhje me këtë person”, tha Hovenier.

Dushan Janjiq tha për Danas se në listën e sanksioneve amerikane është edhe Zvonko Veselinoviq, i cili mund të afrohet edhe më shumë me Serbinë, por edhe se presidenti amerikan Biden e ka vendosur këtë listë sanksionesh për Kosovën për momentin dhe se nuk është shtrirë në lidhjet me Serbinë.

“Për momentin, Serbia nuk pritet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për këtë çështje, por ky lloj mesazhi i ambasadorit amerikan për Rakiq, i cili është pjesë e Qeverisë së Kosovës, do të thotë se SHBA pret që përfaqësuesit e serbëve ta mbështesin atë, përkatësisht të ndëshkojnë ata që janë në listën e sanksioneve, edhe sikur të ishin anëtarë të tyre”, tha Janjiq.

Arsyeja e menjëhershme e rikujtimit të “listës së zezë” të SHBA-ve, në të cilën u gjendën Radoiçiq, Veselinoviq e shumë të tjerë në dhjetor të vitit të kaluar, janë tensionet e fundit në Kosovë, në të cilat sipas disa pretendimeve ka marrë pjesë edhe vetë Milan Radoiçiq.

“Arsyeja e fundit për këtë janë pohimet e politikanëve, policëve dhe mediave shqiptare se Radoiçiq ka marrë pjesë në disa sulme të armatosura ndaj përfaqësuesve të policisë së Kosovës. Nga pikëpamja e politikës amerikane, ai tashmë është në fazën paraushtarake, që është një ndryshim cilësor serioz dhe ka të bëjë me ngjarjet e fundjavës së kaluar, të cilat çuan në tension të madh, tha Janjiq.

Ai shton se SHBA-të dhe NATO-ja “ndërhynë” në Beograd për të ndalur të gjitha aktivitetet që çojnë në tensione, dhe nëse Lista Serbe nuk i jep mbështetje aktive Qeverisë së Kosovës në luftën kundër sanksionimit të personave që i përkasin Listës Serbe dhe etiketohen si kriminelë, pasojat do t’i bartë edhe qeveria në Beograd.

“Vuçiq me nervozizëm të arsyeshëm pret sanksione për vetë Serbinë, pastaj bëhet obligim imediat për Beogradin. Tani për tani, Vuçiq po përpiqet t’ua lërë të tjerëve dhe qeverisë së ardhshme këtë obligim, pasi aty mund të shfaqen edhe kompanitë e Veselinoviqit dhe Radoiçiqit në Serbi”, tha Janjiq.

Related Articles