Klubi i njohur Italian shitet për 1 euro

Klubi i njohur Italian shitet për 1 euro

Skuadra nga Italia, ACR Messina, edhe zyrtarisht është në shitje për një shumë simbolike prej një eurosh. Kështu kanë njoftuar të enjten mediumet italiane. Pasi sezoni 2021/22 është arkivuar me një shpëtim të merituar në Grupin C të Serie C – divizioni i tretë – ka ardhur koha që ACR Messina të shkojë përpara, ka shkruar “Goal”.

Klubi sicilian është në shitje prej disa kohësh, por blerësit e mundshëm nuk kanë dalë ende. Situata e krijuar ka bërë që presidenti i klubit, Pietro Sciotto, të marrë një vendim të bujshëm: ta shesë kompaninë për shumën simbolike prej një eurosh.

“Deri më tani nuk kam marrë asnjë ofertë zyrtare për blerjen e ACR Messina, vetëm disa telefonata për të kërkuar informacion të shkurtër. Janarin dhe majin e kaluar theksova se synimi im i fundit ishte të mbaja klubin në Serie C dhe të largohesha. Me keqardhje të madhe, pas pesë vjetësh në krye të ACR Messinas së lavdishme, ritheksoj dëshirën time për të përfunduar rrugën time këtu dhe për këtë arsye kam vendosur ta shes pronën e ACR Messina për shumën simbolike prej 1 eurosh. E kam vendosur afatin deri të dielën e 12 qershorit për këtë çmim, dhe pastaj do të analizoj situatën dhe do të marr vendimet pasuese, edhe nëse ato duhet të jenë të dhimbshme”, ka thënë Sciotto.

Pra, Messina mund të blihet vetëm për një euro, por i gjithë operacioni duhet të mbyllet shpejt, edhe sepse duhet ndjekur procedura për regjistrimin e ekipit në kampionatin e Serisë C për sezonin 2022/2023.

Messina është themeluar në vitin 1900, kurse në sezonin 2020/21 ka garuar në Serie D – kategorinë e katërt. Herën e fundit që Messina ka luajtur në Serie A, ishte në edicionin 2006/07.

Related Articles