Muhamet Hyseni është njëri prej futbollistëve më të mirë në futbollin kosovar për momentin.
Sulmuesi i Llapit ka shkëlqyer në këtë sezon dhe kjo ka bërë që ai t’iu bie në sy klubeve evropiane.
23 vjeçari me gjasë është duke i kaluar muajt e fundit të eksperiencës me ekipin llapjan, të cilin e kanë vërshuar ofertat për sulmuesin e tij.
Sipas sajtit të specializuar “Transfermarkt” në versionin e tij në turqisht, klubi i njohur i këtij vendi, Kasimpaşa ka shprehur interesim për sulmuesin e rrezikshëm, i cili i ka realizuar 19 gola në Superligë dhe një në Kupën e Kosovës në këtë edicion.
“Sulmuesi 23 vjeçar, i cili ka bërë mrekulli në këtë sezon, i përdor të dyja këmbët. Është ndër lajmet që Kasimpaşa dëshiron ta shtojë në skuadrën e saj një nga dy golashënuesit më të mirë në ligën e Kosovës. Së fundmi, lojtarët ballkanikë vazhdojnë ta tregojnë forcën e tyre në ligën tonë. Džeko, Rashica, Haxhiahmetovic, Hajradinoviç, Visca, Muçi, Manaj, janë vetëm disa prej tyre”, shkruan Transfermarkt.
Trajneri Tahir Batatina javë më parë kishte konfirmuar se lojtarin e tij kryesor po e kërkojnë disa klube, ndërsa kishte shtuar se Hyseni vlen 1 milion euro.