Klubi i skandaleve që po vazhdon t’i humbasë ndeshje në tavolinë 3:0!

Klubi i skandaleve që po vazhdon t’i humbasë ndeshje në tavolinë 3:0!


Ulpiana e ka humbur sërish ndeshjen në tavolinë. Klubi nga Lipjani ka marrë vendimin nga Komisioni i Garave që ndeshjen kampionale të xhiros së 16-të në Ligën e Parë ndaj Ferizajt e kanë humbur me rezultat zyrtar 3:0, ani pse atë e kishin fituar në fushën e lojës (2:3), shkruan Gazeta “Enigma”.

Megjithë, kjo nuk është risi për klubin nga “Sami Kelmendi”, i cili bartë emrin e legjendës së futbollit lipjanas, mirëpo që historinë ka filluar ta rindërtoj me skandale të shumta.

Humbja e ndeshjes në tavolinë ndaj Ferizajt nuk ishte e para, pasi që Ulpiana e ka bërë këtë gjë edhe në dy edicione paraprake.

Në sezonin 2021/22 teksa ishin pjesë e kampionatit elitar, lipjanasit kishin aktivizuar futbollistin Andi Arifi në përballje me FC Ballkanin pa të drejtë loje dhe duke mos qenë fare në protokolin zyrtar të ndeshjes, ani pse tashmë protokolli zyrtar bëhet në mënyrë digjitale dhe gjasat për t’u gabuar janë zero.

Ndeshja kishte përfunduar 1:1, ndërkohë pas ankesës së Ballkanit në Komisionin e Garave ajo u regjistrua me rezultat zyrtar 3:0.

Nuk mbaron me kaq. Ulpiana humbi sërish në tavolinë. Këtë herë një edicion më vonë, teksa ndeshjen e fitur ndaj Fushë Kosovës 0:3, e humbi në tavolinë 3:0, pasi që futbollisti Ardian Musliu ishte inkuadruar pa të drejtë loje, duke qenë i suspenduar me katër kartonë të verdhë.

Ndodhi edhe këtë vit. Ulpiana aktivizoi futbollistin Enes Hajrullahu në përballjen ndaj Ferizajt, i cili nuk kishte të vërtetuar lejen speciale nga Federata e Futbollit e Kosovës për të luajtur ndeshje kampionale. 

Klubi i Ulpianës ka reguar përmes llogarive sociale, duke e quajtur të papranueshëm vendimin nga Komisioni I Garave, ndërkohë që vet presidenti i klubit Jeton Gashi, në një prononcim për “ATV” ka deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni që futbollisti nuk ka patur të drejtë loje, pasi që atë e kanë aktivizuar edhe në ndeshjet e kaluara.

“Ne kemi pyetur delegatin e ndeshjes, para aktivizimit të futbollistit dhe pas aktivizimit. Ai na ka thënë që ka të drejtë loje. Kemi pyetur edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ata kanë thënë që regjistrin e dërgojnë në Federatë. Ai futbollist ka luajtur edhe më parë, mirëpo askush nuk është ankuar. Ne do të bëjmë ankesë ndaj këtij vendimi”, deklaroi Gashi.

Telashet e tjera te Ulpiana

Futbollistët e Ulpianës në kushte anonimiteti i kanë thënë Gazetës “Enigma” që kanë tani e disa muaj që nuk janë paguar, ndërkohë që problemet kanë shpërthyer me largimin e trajnerit Emin Bajrami, pak ditë para ndeshjes ndaj Ferizajt.



Probleme me drejtuesit pati edhe Liridon Kozhani, ish-drejtues i klubit, i cili publikisht akuzoi udhëheqësinë për shkak të keqmenaxhimit.

Klubi ka patur jo pak telashe në aspektin organizativ, derisa fillimin e edicionit e nisi me vonesë, pasi që nuk kishte të regjistruar lojtarët për shkak të bllokimit të merkatos.

Probleme të tilla pati edhe këtë sezonë, teksa disa futbollistë mbetën pa u regjistruar shkaku i këtyre problemeve./Gazeta Enigma/

Related Articles