Klubi i Partizanit ka bërë të ditur se ka shkarkuar nga drejtimi trajnerin Aleksandar Veselinoviç. Vendimi i klubit erdhi pas rezultateve të fundit të të kuqve, të cilët kanë dalë nga gara për kreun dhe mund të rrezikojnë edhe praninë në “Final Four”.
Klubi, nëpërmjet komunikatës së shpërndarë në rrjetet sociale ku bëri të ditur vendimin, i ka cilësuar rezultatet e papranueshme, por sidomos ka theksuar se skuadra ka shfaqur mungesë karakteri në fushën e lojës.
Njoftimi i plotë:
Klubi i Futbollit Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Aleksandar Veselinović për shkak të rezultateve të dobëta. Vendimi i marrë pas humbjes së sotme, bazohet tek rezultatet e papranueshme të kohëve të fundit, dhe mbi të gjitha në mungesën e lojës dhe karakterit që duket të shprehi ekipi i Partizanit në fushën e blertë.
Trajnerit Veselinovic i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme.
Duke filluar nga dita e nesërme, ekipi do të nis përgatitjet me përqëndrim maksimal për të luftuar deri në fund si në Kupë edhe në Kampionat dhe për ta kthyer PARTIZANIN ATY KU I TAKON… P.M.T.P.
