KMDLNj reagon për vendosjen e kryqit në varrezat e Bajçinës: Akt që nxit urrejtje fetare

KMDLNj reagon për vendosjen e kryqit në varrezat e Bajçinës: Akt që nxit urrejtje fetare

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj vendosjes së një kryqi të madh në varrezat e fshatit Bajçinë, në Podujevë, nga persona të paidentifikuar deri më tani.

Sipas njoftimit, KMDLNj tha se është njoftuar nga banorët e zonës, të cilët e kanë cilësuar këtë akt si provokim dhe përpjekje për tjetërsimin e varrezave ku janë varrosur kryesisht banorë që “thuajse njëqind për qind i përkasin besimit islam”, shkruan Gazeta Enigma.

“E drejta për ushtrimin e lirë të besimit është e garantuar me ligj në Kosovë, ndërsa çdo diskriminim në baza fetare duhet të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Vendosja e kryqit në këto varreza ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe mosbesimit në baza fetare dhe përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut,” thekson KMDLNj, duke e dënuar fuqimisht këtë akt.

“As gjatë kohës së okupimit më të egër të Kosovës, regjimi serb nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë,” thuhet më tej në reagim.

KMDLNj deklaroi se është e qartë që ky “akt i shëmtuar” nuk është kryer nga një person i vetëm dhe bëri thirrje për hetime të shpejta, në mënyrë që autorët e kësaj shkeljeje të identifikohen, të kapen dhe të përballen me drejtësinë./GazetaEnigma/

Related Articles