Koalicioni AAK-Nisma premton ndërtimin e shtatë impianteve për ujërat e zeza

Koalicioni AAK-Nisma premton ndërtimin e shtatë impianteve për ujërat e zeza

Në kuadër të programit zgjedhor për mjedisin, koalicioni AAK-Nisma ka paraparë ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe impianteve për mbeturina.

Pjesë e rëndësishme për mjedisin, sipas kandidatit për deputet nga ky koalicion, Smajl Latifi, është edhe përmirësimi i kuadrit ligjor dhe themelimi i Departamentit të Policisë Mjedisore.

“Kur jemi të mjedisi fillimisht duhet ta përmirësojmë kuadrin ligjor dhe institucional dhe pastaj duhet të bëjmë Task Forcën, pra Policinë Mjedisore. Duhet ta rrisim numrin e inspektorëve mjedisorë dhe duhet të hyjmë sa më shpejtë që është e mundur në ndërtimin e impianteve të ujërave të zeza, sepse siç e dimë pothuajse në gjithë Kosovën ujërat e zeza derdhen në përrenjtë dhe lumenjtë e Kosovës”- tha ai.

Lidhur më këtë, Latifi me theks të veçantë e përmendi ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe të mbeturinave, duke e konsideruar si domosdoshmëri për vendin.

Ndërtimi i shtatë impianteve, siç ka theksuar ai, parashihet të bëhet përmes buxhetit të Kosovës dhe partneritetit me Bankën Botërore. Por, ai nuk e ka përjashtuar as mundësinë e marrjes së kredive për realizimin e këtyre projekteve.

“Ne mund të gjejmë partnerë seriozë, edhe Bankën Botërore edhe Komisionin Europian, edhe kredit e buta, si partnere në ndërtimin e impianteve së paku në 7 qytetet kryesore të Kosovës. Besoni që ka fonde edhe për ndërtimin e impianteve të mbeturinave që do të ishin një zgjidhje fatlume afatgjate për qytetaret e Kosovës”- tha Latifi.

Ndërsa, kandidati tjetër Fatmir Matoshi foli me tepër për impiantet që janë nisur, mirëpo ende nuk janë përfunduar nga Qeveria Kurti.

Njëri nga këto impiante është ai i Ferizajt, i cili sipas tij, është financuar me kredi nga Qeveria hungareze.

“Impianti i Ferizajt i ka fondet e siguruara shumë vite më parë nga kredia me Qeverinë hungareze. Asnjë lëvizje më e vogël nuk ka ndodhur në drejtim të ndërtimit të këtij impianti dhe qytetarët e Kaçanikut verën e kanë jashtëzakonisht të rëndë nga kundërmimet që i shkaktojnë kanalizimet e qytetit të Ferizajt, të cilat derdhen në lum dhe shkojnë në drejtim të Kaçanikut”- tha Matoshi.

Tutje, ai përmendi edhe mospërfundimin e impianteve në Gjilan dhe Mitrovicë. Sipas tij, fondet për këto projekte janë të siguruara, por pavarësisht kësaj, nuk ka pasur lëvizje nga ana e qeverisë në realizimin e tyre.

“Njëjtë janë të siguruara fondet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që i kemi negociuar në vitin 2018-2019 për Gjilanin dhe Mitrovicën. Rreth 55 milionë euro për të dy impiantet dhe asnjëri nga to nuk ka filluar … dhe sot Mitrovicën e Gjilanin i kemi pa impiante të ujërave të zeza”- tha ai.

Ndërsa pa një impiant për trajtimin e ujërave të zeza, vazhdon të jetë edhe Prishtina, pavarësisht nevojës që ka.

Për impiantin e kryeqytetit, Matoshi pretendon se janë fondet e marra si kredi nga qeveria franceze në vlerë prej 86 milionë euro dhe për të njëjtat Kosova paguan çdo vit kamat, ndërsa impianti end nuk është përfunduar.

“Njëjtë ndodhë edhe me kryeqytetin- Prishtinën, që e dimë se kredia franceze në vlerë prej 86 milionë euro shumë vite me parë e miratuar. Ato fonde barten vit pas viti në buxhetin e Kosovës… Ne tanimë veçse jemi duke e paguar kamatën e asaj kredie…”-tha ai.

AAK-Nisma, sipas tij, planifikojnë që një impiant të ujërave të zeza të ndërtohet edhe tek Dheu i Bardhë.

Related Articles