Gazeta austriake “Profil.at” ka realizuar një bisedë të gjatë me komandantin amerikan që shërben në Kosovë, Christopher Samulski.
Në këtë intervistë, Samulski është pyetur edhe për një diskutim që ishte bërë sidomos përgjatë administratës së Trump, pra rreth mundësisë së tërheqjes së trupave të KFOR-it nga Kosova.
Por, komandanti amerikan ka thënë se diçka e tillë nuk ka të ngjarë që të ndodh, bazuar në gjithë punën që është bërë në 23 vitet në Kosovë dhe gjithë përkushtimin e NATO-s përgjatë këtyre viteve.
Samulski ka thënë se në të ardhmen e parashikueshme nuk e sheh askund mundësinë e përfundimit të misionit të KFOR-it në Kosovë.
“Unë nuk jam në një pozitë të flasë për politikat afatgjate të KFOR-it. Por nga ajo çfarë unë mund të them, bazuar në përkushtimin e NATO-s gjatë këtyre 23 viteve të fundit, unë nuk mendoj që do të tërhiqemi. Stabiliteti dhe paqja në Ballkan mbetet një interes kombëtar për shumë vende. Unë nuk shoh një fund të angazhimit tonë në të ardhmen e parashikueshme”, ka thënë Samulski për “Profil.at”
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për të kaluarën e tij, shërbimin në Irak dhe Kuba dhe për dallimin në mes të këtyre vendeve me Kosovën.
Samulski ka thënë se mendon që s’ka shumë dallime, megjithatë ka rikujtuar vizitën e Bill Clinton në Kosovë, duke thënë se njerëzit brohorisnin sikur të ishte një koncert i muzikës pop, gjë që thotë se s’paramendohet në Irak.
“Nuk mendoj se ka kaq shumë dallime. Në fund, këto misione fokusohen gjithmonë tek njerëzit që jetojnë në zonën ku ne operojmë. Ne duam të ndërtojmë një marrëdhënie të mirë me ta. Nuk duhet të jetë shumë e vështirë. Kosova konsiderohet si një nga vendet më proamerikane në botë. Kur ish-presidenti amerikan Bill Clinton është këtu, popullata brohorit si në një koncert pop. E paimagjinueshme në Irak”, ka thënë Samulski.