Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari, foli edhe për grupet kriminale serbe në veri, për aktivitetin e Milan Radojçiqit, për grafitet kërcënuese të serbëve, për kërkesën e presidentit serb Vuçiq që KFOR-i të vendoset tek ura e Ibrit, për rrezikun eventual për luftë, për shtimin e forcave serbe në afërsi të kufijve të Kosovës dhe shumëçka tjetër
Sa i përket aktivitetit grupeve kriminele serbe në veri, gjeneralmajor Kajari tha se KFOR-i i përcjellin me kujdes aktivitetin në brenda atyre zonave.
“Ne i përcjellim aktivitetet e të gjitha grupeve të cilat veprojnë brenda zonës tonë të operimit dhe kjo do të thotë që jemi në përcjellje të gjitha deklaratave të tilla”, tha ai dhe shtoi se Rezoluta e mandaton KFOR-in që të ruajë situatën e sigurisë në Kosovë, dhe ai do të veprojë për të siguruar një mjedis të sigurt.
“Ne do ti përdorim të gjitha kapacitetet tona sipas nevojës për të rikthyer dhe për të ruajtur situatën e sigurisë. KFOR-i i ka gjitha të kapacitetet e nevojshme dhe resurset e duhura, si dhe mandatin për të vepruar kundrejt të gjitha grupeve që mund ta kërcënojnë sigurinë në gjithë zonën”, tha Kajari për RTK.
Ai tha se KFOR-i nuk bën arrestime të individëve, sepse nuk është nën mandatin e tyre. Por nëse paraqitet nevoja për të reaguar ndaj grupeve të dhunshme që rrezikojnë sigurinë, atëherë KFOR-i gjithsesi ka të drejtë të ndalojë ata që i rezistojnë aktivitetet e KFOR-it. Detyrë primare e KFOR-it është parandalimi i dhunës dhe krijimi i kushteve të favorshme për negocim. “Nëse shohim rritje të tensioneve dhe negociatat të mos jenë të suksesshme, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, tha ai.
Komandanti i KFOR-it tha se, në rast se individë të caktuar pengojnë aktivitetin e KFOR-it, do t’i ndalonin ata dhe do t’i dorëzonin tek autoritetet përkatëse.