KOMF përmes një komunikate që ka nisur për media ka bërë thirrje për vaksinim, raporton Gazeta “Enigma”.
“Jemi dëshmitarë që rastet pozitive me Covid-19 po rriten në mënyrë të shpejtë javëve të fundit dhe tashmë po përballemi me një valë të re të infeksionit. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, vala e re e infektimeve me Covid-19, në të shumtën e rasteve varianti Delta, po atakon edhe personat e moshës së re. Të dhënat e fundit nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë që 99% e rezultateve të fundit të rasteve me Covid-19 janë të variantit Delta”, thonë nga KOMF-i.
Të njejtët bëjnë të ditur se sipas të dhënave të Ministrisë, vetëm në dy ditët e fundit janë infektuar 76 fëmijë të moshës deri në 10 vjet.
“Në bazë të raportimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, varianti Delta nuk po kursen tanimë as fëmijët. Vetëm në dy ditët e fundit, numri i fëmijëve të moshës 00 – 10 vjeç të infektuar me virusin Covid-19 ishte 76, ndërkaq numri i të infektuarve të moshës 10 – 19 ishte 373. Përderisa numri i përgjithshëm i rasteve pozitive ditën e djeshme ishte 2110”, thuhet në njoftim.
“Këto shifra alarmante duhet të jenë shkas që prindërit, qytetarët dhe institucionet të kthejnë vëmendjen e tyre dhe të mobilizohen në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, me theks mbrojtjen e fëmijëve nga Covid–19.
Në anën tjetër, Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare është duke u ballafaquar me një numër të madh të fëmijëve që po kërkojnë trajtim për shkak të viruseve të tjerë dhe por edhe Covid-19. Gjatë javës së kaluar janë hospitalizuar pesë fëmijë të infektuar me Covid-19, ndërsa 11 të tjerë kanë kërkuar vetëm shërbim ambulator.
Prandaj, përveç masave tashmë të njohura (bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës), KOMF kërkon nga të gjithë prindërit, qytetarët që të vaksinohen për të mbrojtur veten dhe çka është më e rëndësishmja, fëmijët por edhe shëndetin publik në përgjithësi”, thonë nga KOMF.