Teksa Lulzim Basha pritet të bëjë transparencë ditën e së dieles me emrat e 5004 delegatëve që kanë votuar të shtunen në Kuvendin e PD disa vendime përfshirë edhe përjashtimin nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar Demokrat të Berishës, nga ana tjetër edhe Komisioni i Rithemelimit do të mbidhet të dielen për të verifikuar rezultatin perfundimtar te Referendumit për shkarkimin e kreut të PD.
“Sot ne ora 11:00, Komisioni per Rithemelimin e Partise Demokratike do te mblidhet per te verifikuar rezultatin perfundimtar te Referendumit per ratifikimin e vendimit nr. 6 te Kuvendit Kombetar, per shkarkimin e Lulzim Bashes. Pas perfundimit te procesit te verifikimit, Komisioni do te beje me dije rezultatin perfundimtar te Referendumit me ane te nje njoftimi per media. Faleminderit dhe ju uroje nje dite te mbare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ndryshe, Pallati i Kongreseve të shtunen ishte arena e Lulzim Bashës për të rrëzuar mitin se Sali Berisha i ka marrë partinë.
Futja e njerëzve në sallë nuk u shoqërua me ndonjë proces që vërtetonte se ata që po merrnin pjesë ishin delegatë, pra, anëtarë të Kuvendit Kombëtar, apo mbështetës të thjeshtë të Bashës.
Por selia blu u zotua se do të bëjë transparencë brenda kësaj të diele. Sot Basha pritet të bëjë publikë emrat e 5004 delegatëve që sipas tij mbushën një ditë më parë Pallatin e Kongreseve.
Vendimet që u morën të shtunen në Kuvendin e Bashës
Të pranishmit votuan përmes ngritjes së kartonëve jeshilë, duke miratuar një rezolutë e cila nuk njeh mbledhjen e Kuvendit Kombëtar nga Sali Berisha në 11 dhjetor. Po ashtu, u votua edhe një akt tjetër, i cili lë jashtë forumeve të partisë personat e lidhur me komunizmin dhe ata të shpallur non grata nga SHBA. Ky dokument u bë posaçërisht për Berishën, duke e përjashtuar kështu nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar Demokrat, forume ku Berisha ishte anëtar për shkak të detyrës si ish kryeministër.
Gjithsesi, Berisha vijon të jetë anëtar i thjeshtë i PD-së dhe ndaj tij nuk u mor ndonjë vendim përjashtues total. Basha ndoqi punimet e Kuvendit edhe pas fjalës së tij, duke u përballur edhe me kritika nga bashkëpunëtorët. Kuvendi zgjati 7 orë, dhe u zhvillua një javë pas Kuvendit të organizuar nga ish-kryeministri Berisha, i cili fillimisht votoi për shkarkimin e nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, ndërsa dje kishte thirrur referendum për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Kuvedi i PD zgjati 7 orë, dhe u zhvillua një javë pas Kuvendit të organizuar nga ish-kryeministri Berisha, i cili fillimisht votoi për shkarkimin e nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, ndërsa dje kishte thirrur referendum për shkarkimin e Lulzim Bashës./Gazeta Enigma/