Komisioni i Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendim për ndeshjen e xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës ndërmjet Dukagjinit dhe Prishtinës. Kjo ndeshje që u luajt të dielën, përfundoi me fitoren 1:0 të Dukagjinit pas një goli diskutabil.
Pas ndeshjes, Prishtina kishte deponuar ankesë duke kërkuar përsëritjen e ndeshjes, gjë që u refuzua nga Komisioni i Garave.
Goli në këtë ndeshje u shënua në fund të pjesës së parë, kur arbitri Mentor Ajeti fillimisht u ndali lojën para se Mërgim Pefqeli të shënojë autogol. Mirëpo, pas rishikimit të VAR-it, ai e pranoi golin si të rregullt.
Një ditë pas ndeshjes, vetë arbitri Ajeti kishte kërkuar falje publike duke pranuar gabimin e rëndë që e kishte bërë me pranimin e golit.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e FC Prishtina – nga Prishtina dhe ndeshja e javës së 19-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, ndërmjet KF Dukagjini dhe FC Prishtina, regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, 1:0 në favor të KF Dukagjini nga Klina”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Komisionit të garave.
Sipas komisionit, rasti kontestues i kësaj ndeshjeje nuk mund të cilësohet si shkelje esenciale bazuar në nenin 79 të rregullores së garave.