Edhe sivjet shërbyesit publik në Kamenicë pa kompensim për shujta

Edhe sivjet shërbyesit publik në Kamenicë pa kompensim për shujta

Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Kamenicës për vitin 2024, asamblistja nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bleta Ajeti, ka ngritur një çështje të ndjeshme që lidhet me kompenzimin e shpensimeve për shujtat e punëtorëve të administratës publike, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kjo iniciativë kishte për synim të adresonte një prej shqetësimeve kryesore të kësaj kategorie të punonjësve, por, përkundër rëndësisë së saj, nuk u pranua as për shqyrtim nga kryetari i Kamenicës dhe kryesuesi i Kuvendit.

Situata ka ngritur debat për mënyrën se si trajtohen temat që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e punëtorëve në nivel lokal dhe opozita ka lëshuar sallën në shenjë revolte ndaj pozitës.

Ajeti në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se ajo bashkë me përfaqësuesit e tjerë nga PKD dhe partitë tjera opozitare këtë kërkesë do ta dorëzojnë sërish në Kuvend në seancën e parë që do të mbahet në janar të vitit 2025.

“Opozita sot ka paraqitur një kërkesë në seancën e fundit të Kuvendit Komunal në Kamenicë që ka ardhur nga punonjësit e administratës dhe shërbyesit civil për të futur në rend dite për diskutim dhe votim kompensimin e shujtave të disa viteve që u takojnë sipas ligjit”, tha Ajeti për “Enigmën”.

Tutje ajo ka theksuar se kjo kërkesë nuk u pranua as për diskutim nga ana e kryesuesit të kuvendit dhe kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimi.

“Kërkesa nuk u pranua nga kryetari i Komunës dhe kryesuesi i Kuvendit pasi sipas tyre nuk ishte forma e duhur për futjen e kësaj kërkese në rend dite, mirëpo në komunën e Gjilanit dhe Vitisë e njëjta çështje u shqyrtua dhe u aprovua në të njëjtën formë”, ka deklaruar ajo.

“Ne nuk do të dorëzohemi, shihemi në janar”

Ajeti tutje ka shtuar se ajo bashkë me asamblistët e tjerë nga opozita nuk do të dorëzohen, kjo kërkesë do të dorëzohet edhe në janar të 2025 në Kuvend.

“Ne, si opozitë, nuk do të ndalemi deri në realizimin e kësaj të drejte. Shpresoj që e drejta do të triumfojë dhe se qytetarët dhe punonjësit e administratës do ta marrin atë që u takon”, deklaroi ajo. /Gazeta Enigma/

Related Articles