Komuna e Kaçanikut ka punësuar një logopede pa licencë të punës nga Oda e Infermierëve, teksa kjo është arsyetuar se licenca nuk ka qenë kriter për rekrutim
Profesionistët e logopedisë po vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre pa licencë të punës nga Oda e Infermierëve të Kosovës. Sipas Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, çdo profesionist duhet të anëtarësohet dhe licencohet në oda pavarësisht se ku e ushtron profesionin e tij ose saj, shkruan Gazeta Shneta.
“Anëtarësimi në Oda është i detyrueshëm edhe për profesionistët shëndetësor nga paragrafi 1. I këtij neni të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushte të mbrojtjes sociale, institucione tjera të organeve shtetërore, në fakultete, gjegjësisht në shkolla profesionale, në ambulanca të mjekësisë së punës si dhe në të gjitha rrethanat tjera ku ushtrohet veprimtaria shëndetësore në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në Nenin 8 Kreu II në këtë ligj.
Por Komuna e Kaçanikut nuk e ka marr parasyshë këtë ligj kur ka punësuar një logopede, duke anashkaluar kriterin e licencës së punës.
“Konkursi për pozitën Logopede në sektorin e arsimit përkatesisht ne SHFMU dhe QEAP , është publikuar duke kërkuar si kriter: Diplomë universitare në Drejtimin e Logopedisë, përveç kushteve të përgjithshme për pranimin e zyrtarëve publik. Që do të thotë se, në këtë Konkurs nuk kemi kërkuar licencë të punës të lëshuar nga Oda e infermierëve të Kosovës, për shkak se nuk kemi Udhezim administrative të Ministrisë se Arsimit që përcakton këtë kriter apo kritere në bazë të cilave duhet të përzgjedhen kandidatet në procedure te rekrutimit, në kete pozite”, thuhet në një përgjigje të udhëheqëses së personelit në komunë, Hidajete Guri.
Ajo ka pranuar se kandidatja e punësuar nuk ka licencë të punës. “Sa i përket kandidates fituese apo më të suksesshme në këtë procedurë R.G., mund të themi se kandidatja në fjalë, nuk ka një licencë të tillë”, ka deklaruar Guri.
Gazeta ka mësuar se kandidatja është e bija e një udhëheqësi sistemin e drejtësisë.
Guri ka thënë se para se të bëhet emërimi përfundimtar kjo procedurë do të rishqyrtohet.
“Sa për dijeni, ne kemi publikuar njoftimin per kandidatin fitues apo te susksesshem sipas pikeve te fituar të kandidateve, tani jemi ne faza tjera të kesaj procedure (proceduren e ankesave), pas të cilave kalojmë në procesin e emërimit/ pranimit të kandidateve fitues”, ka deklaruar Guri.