Komuna e Prishtinës ka njoftuar se aktualisht rrugët janë të pastruara nga bora dhe të gatshme për qarkullim.
Në njoftim thuhet se për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve të qytetit janë të kontraktuara shtatë kompani, të cilat janë të angazhuara në shtatë loto ku përfshihen rrugët e qytetit dhe rrugët periferike, kurse për rrugët rurale janë të angazhuara katër kompani në katër loto.
Komuna thotë se kontratat janë nënshkruar me kohë dhe kanë filluar të zbatohen me datë 29 nëntor 2021.
“Menjëherë mbas nënshkrimit të kontratave i është dhënë urdhër të gjitha kompanive të bëjnë furnizimin me kripë dhe rërë ashtu siç i kanë të parapara me kontratë, me qëllim që për sezonin dimëror dhe në veçanti kur kemi reshje bore dhe kohë me ngrica”.
Gjithashtu, në njoftim thuhet se reshjet e së hënës mbrëma të gjitha kompanitë i kanë gjetur në terren dhe të përgatitura me mjetet e duhura.
“Kompanitë ashtu siç kanë qenë në punë gjatë ditës kanë vazhduar punën në teren pa ndërprerë, ku kanë qenë 27 automjete të borës të cilat largojnë borën dhe hedhin përzierjen e kripës dhe rërës. Mirëpo, deri sa janë ndërprerë reshjet e borës, kemi pasur vështirësi në pastrimin e rrugëve pasi që reshjet janë përcjellë edhe me temperatura të ulëta, për shkak se puna është bërë por prapë rrugët janë mbuluar nga bora. Pas ndërprerjes së reshjeve, kompanitë kanë vazhduar punën me intensitet dhe në mëngjes rrugët i kemi pasur të gatshme për qarkullim”.
Komuna thotë se edhe sot gjatë ditës puna nga kompanitë nuk është ndalur me intervenime në rrugët dytësore dhe periferike të qytetit, të cilat, sipas njoftimit, të gjitha janë inspektuar nga zyrtarët menaxherë të komunës.
“Tani në momentin kur po deklarojmë, rrugët janë të qarkullueshme për trafik. Vlen të theksohet se puna e kompanive në terren gjatë tërë kohës është mbikëqyrur dhe është koordinuar nga zyrtarët e drejtorisë. Gjendja e rrugëve në përgjithësi është stabile dhe lehtë e qarkullueshme”.
Komuna e Prishtinës bën me dije se edhe shoferët duhet të jenë të me goma dimri e “jo krejt fajin ta gjuajnë te organet, mbasi edhe ngasja e veturave duhet të bëhet në kushte dimri me kujdes të shtuar dhe të përgatitur”.
“Edhe në rrugët rurale kanë punuar të katër kompanitë e kontraktuara pa ndërprerje dhe është arritur në kushte normale që gjendja e rrugëve të jetë e mirë dhe e qarkullueshme. Në rrugët rurale ka pasur më shumë borë dhe erëra të cilat krijojnë pengesa (orteqe të vogla) në rrugë. Puna nga të gjitha kompanitë është duke vazhduar në terren për intervenime varësisht nga nevojat dhe kërkesat”. / Gazeta Enigma.