“Komunikatat e UÇK-së ishin përpjekje për ta bërë më të rëndësishme organizatën”

“Komunikatat e UÇK-së ishin përpjekje për ta bërë më të rëndësishme organizatën”

Ish-ndihmëssekretari i Shtetit në  administratën e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1997-2000, James Rubin, edhe sot do ta vazhdojë dëshminë para Gjykatës Speciale, shkruan Gazeta “Enigma”.

Rubin si dëshmitar është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, ku të hënën e 15 shtatorit dha dëshminë e tij për disa orë, ku foli rreth shumë çështjeve.

Rubin ka folur sërish për UÇK-në e cila sipas tij nuk kishte strukturë të organizuar siç e kanë ushtritë.

Ai tha se kishte më shumë grupe, klane, por jo strukturë të mirëfilltë ushtarake.

“Me sa pashë unë nuk ka pasur batalione, brigada apo njësi në UÇK, nuk besoj se nuk ka pasur organizim nga pikëpamja ushtarake”, tha Rubin.

Ai mohoi të kishte dijeni se në UÇK kishte polici ushtarake.

“Unë e di që kishin uniforma, disa kishin disa jo. Ne nuk i konsideronim ata si komandantë apo shtab i përgjithshëm”.

Në lidhje me komunikatat e UÇK-së, Rubin tha se ka lexuar shumë prej tyre, por tha se i dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte. Ai ato i ka quajtur manipulime.

“Për mua ishin thjesht manipulime. Kam lexuar shpesh komunikata [të UÇK], por më dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se ç’ishte. Për mua ishin thjeshtë manipulime”, tha Rubin.

Related Articles