Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar prezencën e shtuar të policisë së Kosovës nga sot, në veri të vendit.
Sveçla bëri të ditur se pas zhvillimeve të fundit, rritja e prezencës policore është vlerësuar e domosdoshme.
“Policia e Kosovës ka mandat dhe detyrë ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit”, ka shkruar Sveçla.
“Ditëve të fundit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor dhe qytetarëve në veri të vendit, rritja e prezencës policore me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët është vlerësuar e domosdoshme”.
“Sipas njoftimit tashmë zyrtar të Policisë së Kosovës, sot është shtuar prezenca e policisë së rendit në veri të vendit”.
“Lusim të gjithë qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës të cilët janë duke u angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”.