Konjufca e konsideron problem fuqinë që Kushtetuta ia jep Listës Serbe, tregon çfarë sheh si zgjidhje

Konjufca e konsideron problem fuqinë që Kushtetuta ia jep Listës Serbe, tregon çfarë sheh si zgjidhje

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, e konsideron problem fuqinë që Kushtetuta ja jep Listës Serbe dhe se ky problem mund të zgjidhet me “Republikën e Tretë”.



Kryetari i Kuvendit tha kështu në diskutimin e organizuar nga Lëvizja Studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, ku i pranishëm ishte edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Me këtë rast, Konjufca është përgjigjur në pyetjet e studentëve, e që një nga to ka qenë se a duhet të shpallet një Republikë e tretë, pas 12 korrikut 1990 dhe 17 shkurtit 2008.

Ai tha se nuk duhet të shpallet republika e tretë, por se ajo duhet të bëhet për ta pasur një republikë pa kufizime.

Konjufca tha se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa votat e 10 deputetëve serbë në Kuvend edhe nëse çështja nuk ka të bëjë me serbët.

“Në momentin që preket Kushtetuta e Kosovës edhe për diçka që nuk ka lidhje me serbët hiq, 10 votat e serbëve janë të domosdoshme, se kurrfarë ndryshimi i Kushtetutës nuk mund të ndodh pa dy të tretën e pakicave, e pakicat janë 20, po dy të tretat po i bien edhe disa deputetë serbë, pra nëse e vendosim në këtë kontekst i bie që meqenëse Lista Serbe i kontrollon të gjithë deputetët serbë në Kuvend, e Listën Serbe e kontrollon Vuqiqi, atëherë a po i bie që pa vullnetin e tyre nuk mundesh ta ndryshosh Kushtetutën e Kosovës, kështu që kjo është goxha njëfarë kufizimi”

“Me ta bllokuar Parlamentin e Kushtetutën dhe ti të mos  mundesh ta prekësh, ti dëshiron të ndryshosh për arsim diçka nuk mundesh, 10 serbë janë më të rëndësishëm se 110 të tjerë, e kanë të drejtën e vetos. Atëherë ky nuk ka qenë qëllimi jonë fillestar për ta bllokuar Kosovën. Në këtë kuptim republika e tretë që po pyet ti do të ishte ndoshta një punë e jona e përditshme për të shkuar në atë drejtim për t’i hequr të gjitha gjërat e panevojshme dhe të cilat na pengojnë në kryerjen e detyrave tona institucionale dhe për të pasur një shtet më funksional dhe kësi kufizime që i shpjegova e pengojnë. Në këtë kuptim po, unë jam për ta bërë republikën, po kështu të shpallet e të lexohet nuk besoj që ka nevojë, ajo më duket shumë pompoze”, tha Konjufca.

Kryekuvendari duke folur për historinë e shqiptarëve ndër shekuj, tha se çdo gjë që ka ndodhur me shqiptarët “gjeneratori” ka qenë Rilindja Kombëtare.

“Unë konstatoj që ky projekt në veprimtarinë kolektive shqiptare është gjeneratori edhe forca shtytëse kryesore edhe sot e kësaj dite. Pra, gjithçka që ka ndodhur në Kosovë prej vitit 1945 pas Luftës së Dytë Botërore, gjithçka që ka ndodhur në Kosovë në vitet e 90-ta edhe këto zhvillime kanë kulmuar me luftën tonë të ushtrisë së lavdishme të UÇK-së, unë mendoj që gjeneratori kryesor kanë qenë ai projekt – Rilindja jonë Kombëtare që na i ka shpjeguar koordinatat e kombit tonë”, tha ai. /Gazeta Enigma/.

Related Articles