Kryeparlamentari Glauk Konjufca në seancën e përbashkët të dy kuvende Kosovë-Shqipëri sot në Kuvendin e Kosovës falënderoi Shqipërinë dhe institucionet e saj për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Kosova mbetet një kampion i demokracisë në rajon, e vlerësuar edhe prej institucioneve perëndimore dhe me këtë duhet të krenohemi të gjithë ne si popull. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë aleati më i natyrshëm i vlerave perëndimore në Ballkan. E falënderojmë Republikën e Shqipërisë, e falënderojmë Kuvendin, Qeverinë shqiptare që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës, për mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në çdo forum të rëndësishëm të botës dhe që e drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj, të forcimit të ligjit e shtetit demokratik nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët tonë”.
Ai tha se “Jemi mbledhur në këtë seancë të përbashkët të kuvendeve tona në fund të këtij viti për ta dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike dhe atyre gjeopolitike, të sigurisë që e shoqërojnë rajonin dhe kontinentin tonë edhe gjatë këtij viti”.
Konjufca përmendi agresionin rus ndaj Ukrainës dhe tha se si rajon e Kosovë “i kemi ndier ndikimet e tërthorta dhe të drejtpërdrejta të këtij agresioni”.
“Republika e Kosovës po e mbyll edhe këtë vit e sulmuar drejtpërdrejt nga elemente që lidhen me Serbinë e që synojnë destabilizimin e brendshëm të Kosovës me metoda terroriste dhe ato të luftës hibride”.
“E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integriteti, forcimit ligjit, nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Është Serbia që nuk na e pranon as statusin e fqinjit por ambiciet e saj hegjemoniste vazhdon t’i ketë të kodifikuara në Kushtetutë. Nuk mund të ketë normalizim pa pasur njohje reciproke si dy subjekte sovrane. Ne themi vetëm kjo është zgjidhja për relacionin mes Kosovës dhe Serbisë dhe jemi të bindur se kjo do të ndodhë sepse e kemi në krah Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Konjufca. / Gazeta Enigma.