Sipas kryparlamentarit Glauk Konjufca, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të veprojnë në tërë territorin e vendit, përfshirë veriun.
“Sa i përket operacioneve të veçanta, ushtrimeve apo ndonjë çështje tjetër ne nuk do të bëjmë asgjë pa një koordinim me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe me NATO-n”, tha Konjufca.
Institucionet e sigurisë, sipas Konjufcës janë ndërtuar me mund, andaj do u bëjnë ballë provokimeve që vijnë nga Serbia. Kjo në prag të 21 nëntorit kur edhe zyrtarisht pritet të fillojë shqiptimi i gjobave për serbët që nuk i konvertojnë targat nga ilegale në ato RKS, njofton Klan Kosova
Nga vendimi për targat, sipas kryekuvendarit, nuk ka kthim pas.
“Nuk mund të lëshojmë pe përtej Kushtetutës tonë, nuk mund të lëshojmë pe përtej ligjeve. Gjithçka që është ilegale në Kosovë do të ndalohet dhe sundimi i ligjit do të ndodh”, deklaroi kreu i kuvendit.
I njëjti gjithashtu deklaroi se Kosova edhe duhet të sillet në mënyrë të qete e të mos pranojë kushtëzime përmes shantazhit, bllokadave e përdorimi të forcës nga Serbia.