Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në adresimin e tij në seancën e sotme solmne që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se në fundmarsin e vitit 1999 emri i një qyteze të vogël italiane u bë shumë i rëndësishëm për kosovarët, raporton Gazeta “Enigma”.
“Më 24 mars të vitit 1999 një qytezë e vogël italiane e me pak banorë në Kosovë u bë më e njohur se Roma dhe Milano. Kjo ishte Aviano prej ku filluan bombardimet e NATO-s kundër makinerisë ushtarake dhe policore të Serbisë. Këto bombardime të domosdoshme u bënë nga aleanca më e fuqishme ushtarake e botës demokratike për t’i dhënë fund gjenocidit të shtetit serb mbi popullin e Kosovës. Italia u bë vendi i parë prej të cilit u ngrit forca ajrore për shpëtimin e popullit tonë. Lufta e drejtë e UÇK-së e gjeti mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe falë këtij ndërveprimi erdhi liria e popullit tonë”, tha ai.
LEXO EDHE: Kurti: Italia gjithmonë i doli në mbështetje Kosovës
Konjufca mes tjerash, u zotua se bashkëpunimi midis Kosovës dhe Italisë do të vazhdoj edhe më tej.
“Të faleminderit ministër për mbështetjen e vendit tonë e një falënderim po ashtu edhe ambasadorit të shtetit tuaj për punën e shkëlqyer që e bëri në Kosovë, dhe i urojmë suksese në misionin e tij në Libi. Marrëdhëniet tona janë miqësore dhe të ngushta dhe zotohemi se do ta thellojmë bashkëpunimin edhe më tej”‘, shtoi tutje ai.