Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me themelimin e komisioneve të ndryshme hetimore parlamentare.
Pas mbledhjes së Kryesisë, në një deklarim para mediave, ai tha se këto komisione janë instrumenti i vetëm i opozitës, dhe se ato s’kanë pse të pengohen.
“Unë jam që të mos bëhet asnjë pengesë në themelimin e komisioneve hetimore parlamentare, cilat do qofshin ato. Është instrumenti i vetëm që ka opozita në duar. Betejat gjithmonë duhet të bëhen brenda komisioneve pasi që të themelohen ato, mos të vendosen kështu kushtëzime, pamundësim teknik i themelimit të komisioneve hetimore. Unë shpreh vullnetin tim, që komisionet nuk duhet të pengohen në Kuvend sepse nëse kjo bëhet precedent, në mënyrë afatgjate dëmtohet Kuvendi dhe parlamentarizmi në shtetin tonë”, tha ai, njofton Klankosova.tv.
Pasi Komisionit Hetimor për Rezervat Shtetërore nuk iu zgjat mandati edhe për tre muaj, Konjufca tha se “po thonë që vetëm gjashtë muaj ka mandat”.
Mirëpo, siç tha ai, nëse do të kishte vullnet, zgjatja e mandatit nuk do të ishte problem.
“Mund t’i shtohen edhe tre muaj, po flas për vete, si kryetari i kuvendit. Nuk kam asnjë problem që kjo të ndodhë. Pse e bllokon Grupi Parlamentar i VV-së, duhet t’i pyesni ata”, tha Konjufca.