Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka realizuar vizitë zyrtare në Gjermani.
Gjatë qëndrimit të tij në Berlin kryetari Konjufca është pritur nga drejtues të lartë të shtetit gjerman dhe po ashtu ka takuar bashkatdhetarë që jetojnë në Gjermani.
“Kreu i Kuvendit të Kosovës ka zhvilluar një takim të veçantë me Presidenten e Bundestagut Gjerman, Bärbel Bas, me të cilën ka diskutuar për çështje të rëndësishme, me orientim në kahjen që partneriteti i ngushtë e i palëkundur nëpër vite midis Kosovës dhe Gjermanisë të thellohet më tej në drejtim të zhvillimit të interesave dhe synimeve tona të përbashkëta”, njofton zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.
Konjufca ka falënderuar homologen e tij gjermane për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë gjithnjë Kosovës që nga themelimi i saj, por edhe më herët se kaq, si dhe për qëndrimet e qarta të Gjermanisë sa i përket sulmit terrorist në Banjskë.
“Duke e njohur presidenten e Bundestagut me sukseset që Kosova ka shënuar sa u përket treguesve të demokracisë në vend, kryetari Glauk Konjufca ka potencuar nevojën për shkëmbimin e mëtejshëm të përvojave parlamentare dhe ekstraparlamentare sa i përket rritjes së kapaciteteve demokratike”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Gjithashtu bëhet e ditur se presidentja e Bundestagut gjerman, Bärbel Bas, ka konfirmuar se mbështetja diplomatike, partneriteti dhe bashkëpunimi i gjithanshëm midis dy vendeve do të vazhdojë edhe më tutje.
Në vazhdim të vizitës në Gjermani kryetari i Kuvendit ka zhvilluar takime të veçanta edhe me drejtues të komisioneve të ndryshme të Bundestagut.
Gjatë këtyre takimeve kryetari Konjufca ka shprehur falënderimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për rolin mbështetës dhe shumë të rëndësishëm të Gjermanisë për vendin tonë në periudha dhe rrethana të ndryshme.
“Kryetari i Kuvendit i ka njoftuar ligjvënësit gjermanë lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, përderisa ka shprehur shqetësimin e institucioneve të Kosovës për rrezikun e përsëritjes së një skenari të tillë me përmasa akoma më të mëdha, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e dënon me ashpërsi dhe konkretësi rolin e Serbisë në këtë cenim të sovranitetit dhe sigurisë të Republikës së Kosovës. Z. Konjufca ka veçuar reagimin e Gjermanisë në dënimin e këtij tentim-invazioni të Serbisë kundrejt Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kryetari Konjufca është shprehur mirënjohës edhe për kontributin e Berlinit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës në proceset integruese evropiane, liberalizimit të vizave, ekonomisë dhe energjisë së qëndrueshme.
“Kosova gjithnjë është e hapur për thellimin e bashkëpunimit me Gjermaninë, partnerit tonë të pazëvendësueshëm, me një rol qendror në Bashkimin Evropian ku vendi ynë natyrshëm dhe pashmangshëm aspiron të integrohet”, ka thënë kryetari Glauk Konjufca.