Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në punëtorinë për shqyrtimin e draft-rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të organizuar nga grupi punues.
Gjatë fjalimit të tij, Konjufca tha se e mbështet hartimin e rregullores së re, duke theksuar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të këtij procesi.
“Kreu i legjislativit theksoi rëndësinë që rregullorja e re të plotësojë kërkesat e Kuvendit dhe në këtë mënyrë të lehtësojë funksionimin e punës brenda institucionit”, thuhet në një komunikate për media nga Kuvendi i Kosovës.
Rregullorja e Kuvendit përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, organeve të tij drejtuese dhe trupave të tij të punës, në ushtrimin e funksionit ligjvënës, mbikëqyrës dhe përfaqësues.
Po ashtu Rregullorja përcakton edhe rregullat për organizimin dhe funksionimin e Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.