Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Konjufca ka theksuar se pengesa kryesore për normalizimin e raporteve mbetet Serbia.
“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka shtuar se, përkundër lulëzimit të demokracisë në Kosovë, Beogradi ka vazhduar përpjekjet për të mbajtur një rol destruktiv, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe duke mbështetur Listën Serbe.
“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, ka shtuar ai.
