Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të Albanian American Relations Council (AARC), të mbajtur në New York, në prani të përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan, miqve të komunitetit shqiptar dhe personaliteteve të shumta nga jeta publike.
Kështu është bërë e ditur nga MPJD, nga ku shtohet se, Konjufca ka theksuar se, dënimi i ish-krerëve të UÇK’së, përbën një padrejtësi që shkon përtej fatit personal të të dënuarve dhe prek kauzën tonë për çlirim dhe liri, dhe se, sipas tij kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës çlirimtare të UÇK-së dhe e drejta e popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja.
Komunikata:
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të Albanian American Relations Council (AARC), të mbajtur në New York, në prani të përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan, miqve të komunitetit shqiptar dhe personaliteteve të shumta nga jeta publike.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Konjufca vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptar në Amerikë. Veprimtarët, shoqatat dhe organizatat shqiptare punuan për dekada për çështjen shqiptare dhe për ndërgjegjësimin e opinionit dhe institucioneve amerikane për Kosovën. Kontributi i mërgatës shqiptare në Amerikë qëndron në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se vendimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së përbën një padrejtësi që shkon përtej fatit personal të të dënuarve dhe prek kauzën tonë për çlirim dhe liri. Sipas tij, kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe duhet të UÇK-së dhe e drejta e popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja.
Ai foli gjithashtu për nevojën e stabilitetit institucional dhe demokratik në Kosovë, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike, reflektim dhe vendosjen e interesit shtetëror e kombëtar mbi interesat e ngushta partiake. Në një kohë sfidash të mëdha, kohezioni kombëtar dhe funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve mbeten thelbësore.
Në përmbyllje, Zëvendëskryeministri Konjufca falenderoi AARC-në për angazhimin në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për rolin e saj në ruajtjen dhe fuqizimin e lidhjes së komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara me vendet tona.
