Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, këtë të martë ka pritur në takim kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla, i cili shoqërohej nga deputetët Anila Denaj, Arben Pëllumbi, Gerta Duraku, Benet Beci, Alqi Bllako dhe ambasadori Qemal Minxhozi me bashkëpunëtorët e tij, njofton zyra për media e Kuvendit.
“Në takimin e ngrohtë dhe tejet vëllazëror, diskutimi u përqendrua në konkretizimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, ekonomik, kulturor, arsimor, si dhe domosdonë e thellimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët”.
“Kryetari Glauk Konjufca vuri në pah kontributin e madh të Shqipërisë për Kosovën dhe, pasi shprehu mirënjohje të lartë, theksoi se do të punojmë në intensifikimin e raporteve mes parlamenteve tona, si dhe kërkoi një strategji të përbashkët kundër përpjekjeve të Serbisë për ta sfiduar Kosovën në mekanizmat parlamentarë evropianë”.
“Meqë jemi një komb, kemi nevojë të jemi shumë më afër njëri-tjetrit për t`i përballuar sfidat që kemi përpara në raport me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe integrimet evropiane, tha kreu i Kuvendit”, thuhet në komunikatë.
Nga ana e tij kryetari i GP të PS, Taulant Balla, premtoi bashkëpunim konkret në të gjitha nivelet, duke u shprehur se Shqipëria do të pozicionohet gjithherë në interes të faktorit shqiptar.
Bashkëbiseduesit po ashtu vlerësuan se Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë duhet t’i shërbejnë heqjes së të gjitha barrierave eventuale burokratike, unifikimit të qëndrimeve karshi nismave rajonale dhe bashkërendimit të hapave në rrugëtimet integruese.
Në këtë frymë ata konstatuan se takimet e tilla janë padyshim tregues i bashkëpunimit të ngushtë politik dhe u pajtuan që ai të shtrihet në të gjitha fushat, si dhe t`i shërbejë forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. /Gazeta Enigma/